Në Zvicër polemikat nuk kanë të sosur dhe shkak për këtë mbetet festimi me shqiponjë i Xhakës dhe Shaqirit në ndeshjen e Kupës së Botës përballë Serbisë.

Nëse në Serbi çudia zgjati vetëm 3 ditë, në Zvicër duket se do të zgjasë me muaj dhe mund të jetë një çështje ndër vite.

Pak ditë më parë, ishte legjenda zvicerane e Liverpulit, Stefan Henshoz, që shprehej se do të ishte gabimi më i madh për Zvicrën, nëse Xhaka emërohej kapiten pasi ai nuk përfaqëson atë kombëtare dhe këtë e kishte treguar në Botëror.

Tashmë, një tjetër ish-futbollist shumë i shquar zviceran, Kubilai Turkilmaz është shprehur se fitorja ndaj Serbisë, nuk ishte realisht një fitore por ishte deklarimi i falimentimit për Zvicrën. Ai është shprehur se është kundër një emërimi të mundshëm të Xhakës si kapiten.

“Futbollistët thyen rregullat e vendosura në vitin 2014, duke treguar se kemi një Federatë të dobët. Ata po kërcejnë nën hundën e drejtuesve.

Nëse ishte e pashmangshme festa e tyre me shqiponjë, atëherë shumë mirë mund të merreshin masa të tjera. Xhaka, Shaqiri dhe Xhemaili duhet të pezulloheshin me një ndeshje nga vetë Federata dhe në takimin ndaj Suedisë nuk duhej të luanin.

Kapiteni? Mendoj se duhet të jetë Jan Somer. Ai është një futbollist që ka përfaqësuar denjësisht Zvicrën dhe këtë e tha mjaft bukur Stefan. Nëse duan të parandalojnë pakësimin e identitetit tonë, atëherë Xhaka nuk duhet kurrsesi të jetë kapiten.

Për shembull unë pash ndeshjen me shokët e mi dhe thanë ‘Në rregull, fituam! Mirë’. Në fakt kjo nuk është një fitore për Zvicrën, por është një deklaratë falimentimi për ne”, u shpreh legjenda Turkilmaz./vipsport/