Boksierët profesionistë, Nelson Hysa, Arjon Kajoshi, Krenar Zeneli dhe Senad Drini vijojnë të përgatiten në palestrën e boksit, nën drejtimin e trajnerëve të mirënjohur, Zef Gjoni, Jetmir Kuqi dhe Lazarin Vila për Turneun Ndërkombëtar, që do të mbahet mbrëmjen e kësaj të diele në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës.

Kështu, janë zyrtarizuar edhe çiftet e boksierëve dhe programi i ndeshjeve për mbrëmjen e turneut që do të zhvillohet në “Qazim Dervishi”. Përballja e parë në këtë turne do të jetë ajo për peshën 76-kg në mes boksierit shkodran, Senad Drini dhe boksierit anglez, Thomas.

Më pas, në ring do të ngjitet kampioni vlonjat, Krenar Zeneli, për t’u përballur me boshnjakun Romanik, ndeshje e vlefshme kjo për peshën 64-kg. I treti që do të ngjitet në ring do të jetë Arjon Kajoshi, shkodrani i peshës 76-kg, që do të ndeshet me Dzemka nga Bjellorusia.

Menjëherë pas Kajoshit, në ring do të ngjitet shkodrani tjetër i peshës super të rëndë, Nelson Hysa, i cili momentalisht ka pesë fitore rradhazi në boksin profesionist, ku do të synojë fitoren e gjashtë ndaj kampionit të Çekisë, Sour. Të gjitha këto ndeshje të boksit profesionist mbeten tepër interesante për t’u parë, pasi pritet rivalitet në ringun e pallatit të sportit “Qazim Dervishi”.
Maringlen ZHIVANI