Opinion nga Alban HASANI
Kam ndjekur me interes kohët e fundit shumë deklarata të trajnerit të Vllaznisë Rudi Vata që flet indirekt ndoshta për mangësi të theksuara në elementët teknikë, taktikë apo të përgatitjes fizike për lojtarët e ardhur nga Akademia tek ekipi i parë. Unë mendoj se është një gjykim jo i drejtë. E kam më të lehtë të flas sepse nuk jam pjesë e asaj Akademie megjithatë mendoj se për trajnerët që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë aty, është turp të flasësh për ta. Në një periudhë 5 vjeçare, Akademia ka dalë 5 herë kampion me moshat U-19 dhe U-17. Vetë këto rezultate të bëjnë të mendosh se është punuar mirë dhe nuk mund të thuhet kurrsesi se ata kanë punuar keq trajnerët sepse ne kemi lojtarët që kanë dalë nga Akademia si Bala, Vajushi, Bardulla, Karakaçi, Dema, Tafa, Guri, që kanë qenë tek U-17 e kombëtares që është kualifikuar për herë të parë në Europian ku lozin me ekipe si Italia, Gjermania etj. Unë mendoj se nuk e ka fajin Akademia por drejtimi i dobët dhe mosbashkëpunimi i stafit teknik me drejtuesit. Pastaj, më parë se Vata apo specialistë të tjerë të njohur të futbollit në Shkodër, të merren me Akademinë (probleme ka dhe normalisht duhet punuar për t’i korigjuar), ata duhet të analizojnë çfarë bëhet me lojtarët e huaj që vijnë tek Vllaznia. Unë se di kush përgjigjet për mbajtjen e lojtarëve si Da Silva një muaj në Shkodër e tashmë do përfundojë në Korçë. Apo Singbo e ndonjë tjetër që kanë tash 1 muaj që janë në Shkodër me shpenzimet e Vllaznisë, kryejnë fazën përgatitore me të dhe më pas largohen. Personalisht përsëri i mëshoj mendimit se duhet dorë më e fortë e drejtuesve që të venë veton për këta lojtarë mediokër që vijnë e ikin pa lënë gjurmë fare.