Grasshopers ka rënë sot zyrtarisht nga kategoria në Zvicër, pas një ndeshje të cilën do ta humbë në tavolinë, por të cilën në fakt deri në minutën e 68 po e humbte 4-0 ndaj Lucernës. Një situatë e rëndë për klubin por sidomos për tifozët e skuadrës shumë të njohur zvicerane e cila në radhët e saj ka futbollistë të përfaqësueses shqiptare si Arlind Ajeti dhe Bujar Lika.
Këta të fundit janë detyruar që t’i nënshtrohen një urdhri turpërues të tifozëve të tyre, të cilët pas golit të 4-0, të shënuar nga mesfushori i Kosovës, Idriz Vioca, kanë shpërthyer rrethimin dhe kanë hyrë në fushë duke mos lejuar vazhdimin e ndeshjes.
Ata kërkonin të flisnin vetëm me portierin Hainz Lindner dhe ky i fundit nisi negociatat me ultrasit që kishin vendosur të prishnin takimin përfundimisht, meqë gjithsesi klubi i tyre ishte i rënë edhe matematikisht. Ultrasit kërkuan me ngulm që lojtarët të ktheheshin në fushë, por vetëm për t’i dorëzuar atyre fanellat pasi nuk ishin të denjë për t’i veshur.
Portieri u kthye në dhomat e zhveshjeve për t’u shfaqur disa minuta më vonë me të gjithë shokët e skuadrës, përfshirë Ajetin e Likën, të cilët pësuan atë që cilësohet si turpërimi më i madh para tifozëve, pasi dorëzuan fanellat e u larguan kokulur. /vipsport/