Deklaratat e ashpëra të drejtorit Kroqi për mosmarrjen pjesë të shumë peshëngritësve të Vllaznisë në kampionatin kombëtar, kanë marrë përgjigje nga njëri prej trajnerëve të këtij ekipi, Muhamet Tuzi. Në një prononcim për gazetën “SHKODRA SPORT”, ai ka thënë: “Drejtori mund të ketë të drejtë në pretendimet e tij kur thotë se sportistët duhet të marrin pjesë nëkampionat por unë po ju argumentoj pse edhe sportistët dhe ne trajnerët kemi të drejtë në pretendimet tona. Siç dihet, stërvitemi në kushte të mjerueshme dhe stërvitja që zhvillojmë është sa për të mbajtur trupin në formë. Sa i takon pjesmarrjes në kampionat, jemi njoftuar për zhvillimin e kësaj veprimtarie vetëm 10 ditë përpara nga ana e Federatës dhe njoftim na ka ardhur përmes “facebook”. Ky është një skandal! Gjithmonë Federatat nisin që në fillim të vitit projekt-kalendarin e të gjitha veprimtarive vjetore, në bazë të të cilit pastaj sportistë e trajnerë ndërtojnë edhe programin stërvitor. Ne na u pat thënë se kampionati do të bëhej në shtator por nuk ndodhi kështu. U tha për në tetor dhe më pas në nëntor por sërish nuk u bë. Në kushte të tilla, duke parë edhe temperaturat e ulëta në palestën ku ne stërvitemi, pothuajse e lamë krejt atë, duke menduar se në dhjetor nuk do kishte kampionat. Por pas njoftimit 10 ditë përpara, çfarë mund të bënim ne. Shumë prej sportistëve ishin krejtësisht jashtë forme. Të tjerë nuk kapnin dot normën për të marrë pjesë në kampionat sepse peshëngritja nuk është si sportet e tjera që merr pjesë kushdo në kampionat. Tek ne, duhet të kapësh normën për t’u përfaqësuar. Duke qenë në këto pozita, natyrisht që edhe Erkand Qerimaj, nisur nga vetë emri dhe karriera e tij, nuk mund të pranonte kurrsesi të merrte pjesë në garë dhe të mos renditej në vendet e para sepse është fyerje për të. Prandaj dhe ka patur atë reagim. Gara është garë dhe për të duhet të pregatitesh fort, për të nderuar në rradhë të parë veten dhe më pas Vllazninë e Shkodrën. Nuk duhet të merremi me polemika por të mendojmë për rregullimin sa më parë të situatës duke shpresuar në ndërtimin e palestrës së re sepse ndryshe, ky sport do të shkojë drejt shkatërrimit të plotë”. Por kur do përfundojë palestra e re? Përgjigjen për këtë, për momentin askush nuk mund ta japë.

© shkodrasport.com