Nëse ikja e disa futbollistëve të tjerë nuk është zyrtarizuar ende, largimi i parë te Vllaznia mund të quhet Kaina. Sulmuesi u ble nga skuadra e Besës së Kavajës para dy vitesh dhe pretendohej që ai të kontribuonte më shumë, por në të vërtetë ndodhi e kundërta.

Në gjysmën e parë të sezonit të parë të tij në Shkodër, Kaina nuk u ndje fare, teksa shënoi vetëm një gol në fillim ndaj Laçit. Ndërkohë, në gjysmën e dytë të sezonit, 26-vjeçari u huazua tek Kastrioti, aty ku pati shkëlqimin e tij më të madh, ku shënoi edhe shtatë gola. Më pas, ai e përfundoi huazimin atje dhe u kthye tek skuadra e Vllaznisë, që zotëronte kartonin e tij.

Këtë sezon me Vllazninë, ai rregjistroi 33-paraqitje, vetëm nëntë si titullar dhe 24 të tjera si zëvendësues, duke shënuar edhe katër gola në kampionat dhe tre në Kupën e Shqipërisë, ku la pak shenja. Ai grumbulloi gjithsej 1159-minuta, teksa në pjesën më të madhe të ndeshjeve iu desh të qëndronte në stolin e rezervave.

Kaina mund të cilësohet si zhgënjim tek Vllaznia, ndoshta edhe për faktin se më shumë qëndroi në stolin e rezervave se sa në fushë si titullar. Megjithatë, mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjë tek ekipi i ri i tij, Tirana.
Maringlen ZHIVANI