Fiorentina është tashmë viktima e tij e preferuar: Kefren Turam fsheh ambicien pas buzëqeshjes së përhershme dhe stilit të çuditshëm të flokëve, por në fushë dëshiron gjithçka dhe menjëherë, dhe nuk kënaqet me pak.
Kështu që pas golit të parë me fanellën e Juventusit në ndeshjen e parë kundër Fiorentinës, ai shënoi menjëherë një tjetër, duke festuar një dopietë për herë të parë në karrierën e tij.
“Nuk kam një mënyrë feste sepse nuk jam mësuar të shënoj gola, kështu që kam marrë atë të vëllait tim”, tha ai pas ndeshjes.
Megjithatë, ndoshta ka ardhur koha të shpikë një festë të tijën, pasi francezi është tashmë në kuotën e 4 golave, rekord personal deri tani. Turam është nota pozitive e merkatos bardhezi, një nga shtyllat për t’u mbështetur në këtë moment të vështirë, ndoshta blerja më e mirë në raport me çmimin dhe cilësinë. 20 milionë euro për një djalë 23 vjeç që ka një fizik të jashtëzakonshëm dhe mundësi të mëdha për t’u zhvilluar. Numrat tregojnë se ai ka qenë një nga më të qëndrueshmit. Turam është një nga fytyrat pozitive, nga të cilat mund të riniset Juventusi, për të tashmen dhe për të ardhmen. Për të shpëtuar sezonin me vendin e katërt, objektivi i vetëm që ka mbetur, dhe për të vendosur themele të forta për sezonin tjetër.
ÇMIMI I ULËT- Turam erdhi gjatë verës si përforcimi më pak i lavdishëm i një mesfushë që ndryshoi pamje, por ai ka treguar se është më i miri nga të tre. I paguar më pak se gjysma e Kopmeiners (51 milionë) dhe Duglas Luiz (50), ka treguar se është i denjë për Juventusin, pavarësisht moshës së re dhe përvojës së paktë ndërkombëtare.
Kefren është mesfushori i dytë për gola të shënuar te Juventusi (një më pak se Mekeni) dhe është i dhjeti në skuadër për numrin e ndeshjeve si titullar (25, nga mesfushorët, më pak se ai ka vetëm Duglas Luiz). Motta i dha besim menjëherë, por një lëndim (i vetmi i sezonit) e detyroi të ndalonte dhe humbi vendin e titullarit. E ka rikthyer atë me performanca të bindshme. Juventus ishte në fatin e tij. I lindur në “Reggio Emilia”, kur babai i tij Lilian luante te Parma, që kur ishte i vogël u transferua në Torino.