U mendua se skuadra e Vllaznisë do të ishte e plotë në përballjen e së dielës ndaj Erzenit, por mesa duket nuk do të rezultojë e tillë. Kështu, një nga futbollistët e rëndësishëm të kuqebluve në repartin e sulmit, pritet të mos jetë i gatshëm për këtë sfidë.

Fjala është për sulmuesin anësor, Mehdi Çoba, i cili do të jetë një nga mungesat e Vllaznisë në ndeshjen kundër Erzenit. Futbollisti shkodran është dëmtuar në seancën e djeshme stërvitore dhe për pasojë nuk do të jetë i gatshëm për sfidën e ditës së dielë kundër Erzenit.

Në vendin e tij, me të gjitha gjasat pritet të rikthehet Liridon Latifi. Megjithatë, një gjë e tillë mbetet për t’u parë sërish në seancat e ardhshme stërvitore.

Kujtojmë që, Vllaznia po kalon një krizë në kampionat, pasi ka shtatë ndeshje pa njohur fitoren. Në fakt, prej këtyre rezultateve negative u ndryshuan edhe trajnerët e mëparshëm Mirel Josa dhe Auron Miloti, teksa tashmë drejtimin e kuqebluve e ka marrë tekniku maqedonas Goçe Sedloski, i zyrtarizuar pak ditë më parë nga klubi shkodran.

Realisht, edhe me ardhjen e trajnerit të ri të dielën kundër Erzenit pritet një rezultat pozitiv, pra rikthimi tek fitorja. Megjithatë, gjithçka do ta tregojë vetëm fusha e blertë, duke nisur nga ora 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi”.
Maringlen ZHIVANI