Në moshë të re, por drejtuesit e shoqatës së volejbollit të femrave të Vllaznisë i kanë besuar drejtimin e ekipit U18. Fatjet Haxhagiq, një ish- volejbollist kuqeblu ka nisur tashmë karrieren e tij si trajner dhe këtë detyrë e ka marrë me shumë dëshirë.

“Për mua drejtimi i ekipit U18 është një eksperiencë e re e po ashtu edhe një kënaqësi e privilegj të punoj me këtë staf të mrekullueshëm që ka krijuar shoqata “Vllaznia voleyball”.

Njëkohësisht është dyfish kënaqësi të punoj me këto vajza fantastike të cilat kanë një grintë të jashtëzakonshme që kanë për sportin e volejbollit dhe një dëshirë të paparë për ta ushtruar atë”- ka thënë në fillim Haxhagiq.

I pyetur ndërkohë për ndeshjen e rradhës për kampionat dhe pretendimet që do të ketë Vllaznia U18 sivjet, trajneri i këtij ekipi do të shprehej: “Vijmë nga një fitore me Teutën javën e kaluar e cila ishte një nga rivalet tona kryesore, ndërsa këtë javë do të synojmë fitoren me ekipin e Mjeshtërisë Sportive Durrës.

Synimet tona janë padyshim që ta fitojmë titullin kampion këtë sezon dhe kjo është plotësisht e mundshme sepse e kemi elementin e duhur për ta bërë këtë gjë”- ka thënë trajnerit Fatjet Haxhagiq./SHKODRA-SPORT.COM/