Ishte një nga largimet e kësaj vere nga Vllaznia, ku pas 2 sezonesh e gjysëm në Shkodër , ku arriti të fitojë edhe dy herë kupën e Shqipërisë, Mevlan Adili i tha mirupafshim shkodranëve.

Një largim që ndoshta ishte i dhimbshëm edhe për tifozët kuqeblu. Që tek qendërmbrojtësi shihnin një nga liderët ekipit dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm.

Ish-futbollisiti i Shkupit u largua drejt Rusisë, për tu aktivizuar me ekipin e SKA Khabarovsk. Skuadër ku kaloi gjysmën e parë të këtij sezoni dhe ku në fillim ishte edhe titullar, por në javët e fundit, 28-vjeçari e humbi vendin e protagonistit.

Duket se një fakt i tillë mund të ndikojë në vazhdimësinë e Adilit në klubin rus. Sipas zërave të fundit, që ende duhet të konfirmohen, mbrojtësi ka shkëputur marrëdhëniet më ekipin rus.

Në janar ai pritet të jetë një lojtar i lirë dhe shumë i vlefshëm për të gjithë skuadrat, e po ashtu për Vllazninë. Ku shkodranët realisht kanë pasur probleme të mëdha në prapavijë këtë edicion, kjo edhe për shkak të dëmtimeve të shumta të futbollistëve.

Ende nuk dihet nëse drejtuesit kanë kontaktuar me Adilin, një futbollist që e njeh shumë mirë ambientin e futbollit në Shkodër. Dhe që patjetër e do Vllazninë dhe Shkodrën, por patjetër interesimi për të do jetë i lartë edhe nga kampionati maqedonas apo edhe ai shqiptar. Ku në 2-3 sezonet e fundit, Adili ka qenë ndër më të mirët në rolin e tij në futbollin tonë.
Endri ÇINARI