Mesfushori shkodran Abaz Karakaçi ka mbyllur aventurën tek Elbasani prej disa ditësh tashmë. Pas vetëm një sezoni, shkodrani është larguar nga elbasanasit për shkak të mosrënies dakord për kontratën, por edhe pas disa përplasjeve të vogla herë pas here me drejtuesit, duke dalë në këtë mënyrë lojtar i lirë në treg. Karakaçi bëri një sezon shumë pozitiv me elbasanasit, teksa pas largimit nga ky ekip për 31-vjeçarin ofertat nuk kanë munguar.
Ai po i shqyrton ato dhe duhet thënë se e ardhmja e tij është mes Abissnet Superiore dhe Superligës kosovare, teksa nga sa mësohet është në bisedime me dy ekipe të ndryshme nga këto kampionate. Futbollisti shkodran ka refuzuar kalimin në skuadrat e Kategorisë së Parë, aty ku nuk ka munguar interesimi nga ekipe të ndryshme. Megjithatë, Karakaçi ua ka “mbyllur derën” këtyre skuadrave, duke ua bërë të qartë që pëlqen kalimin në Superiore.
31-vjeçari është në pritje të ofertës përfundimtare nga një ekip në Shqipëri, por edhe nga një skuadër kosovare, emrat e të cilave nuk bëhen të ditura momentalisht. Megjithatë, në ditët në vijim mbetet për t’u zbuluar e ardhmja e Abaz Karakaçit, nëse do të firmosë me ndonjë ekip në Shqipëri apo në Kosovë. Këtë sezon me Elbasanin, mesfushori shkodran zhvilloi 28-ndeshje, teksa arriti të shënojë shtatë gola, duke spikatur me paraqitjet e tij dhe duke qenë një nga futbollistët kryesorë të elbasanasve.
Karakaçi është prej vitesh pjesë e ekipeve të rëndësishme të futbollit shqiptar, ku numëron paraqitje në Superiore me Vllazninë, Apoloninë, Tërbunin dhe Kastriotin. Ndërkohë, në Kategorinë e Parë ka veshur fanellën e Partizanit, Adës së Velipojës, Butrintit, Luftëtarit, Besëlidhjes, Egnatias dhe sezonin e fundit me Elbasanin, ku mbajti edhe shiritin e kapitenit.
Maringlen ZHIVANI