Nga Endri ÇINARI

Esin Hakaj u zyrtarizua ditën e djeshme si largimi i rradhës nga Vllaznia. Mbrojtësi dhe kuqeblutë nuk arritën të gjenin rrugën e përbashkët për vijimin e marrëveshjes. E në këtë mënyrë pas 3 sezonesh, 27-vjeçari ndan fatet me ekipin e vendlindjes së tij. Por interesi për të marrë shërbimet e Hakajt është i lartë.

“Shkodra Sport” mëson se mbrojtësi i majtë ka shumë admirues. Duke përfshirë këtu ekipet e rajonit, ku nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut duket se ka oferta konkrete në drejtim të mëngjërashit. Duke njohur cilësitë e tij dhe eksperiencën që zotëron, shkodrani mbetet një lojtar i lakmueshëm në treg. E sidomos në këto momente ku është lojtar i lirë.

Por nga Superliga shqiptare, ish-mbrojtësi edhe i Partizanit e Teutës ka interesim konkret nga AF Elbasani. Verdheblutë të ngjitur pas shumë vitesh në elitë duan të ndërtojnë një ekip me cilësi dhe pretendent. Drejtuesit elbasanas shohin tek Hakaj një përforcim cilësor dhe që nuk ka nevojë për prezantim.

Në ditët në vijim do mësohet me siguri edhe e ardhmja e mëngjërashit. E ndërsa në krahun tjetër, Vllaznia duhet të punojë për të gjetur zëvendësuesin e Hakajt. I cili prej disa sezonesh është mes mbrojtësve të majtë më të mirë të Superiores./www.shkodrasport/