Erjon Bogdani shpreson që të ketë një karrierë të suksesshme si trajner, po aq sa kishte si futbollist. Por eksperienca e tij e parë si trajner, ajo me Shqipërinë U19, nuk shkoi edhe aq mirë dhe trajneri koleksionoi vetëm zhgënjime në ndeshjet zyrtare, duke i humbur të gjitha në dy edicione radhazi.

Pavarësisht largimit pa lavdi të argumentuar me “mungesë rezultatesh”, Bogdani nuk është dorëzuar dhe shpreson që shumë shpejt të gjejë një ekip dhe të drejtojë aty për të ndërtuar një karrierë më të suksesshme në këtë rrugë që ka ndërmarrë.

Për më tepër, ambiciet e tij janë që të punojë në Itali dhe jo në Shqipëri. “Pas eksperiencës me kombëtaren shqiptare, unë po kërkoj një pankinë në Itali dhe ndoshta në sezonin e ardhshëm mund të takohemi në ndonjë fushë në Serinë C”, ishin fjalët e Bogdanit për mediat italiane.

Ai ka treguar se dëshiron të jetë menjëherë protagonist në futbollin profesionist dhe jo të nisë gjithçka nga amatorët apo me akademitë siç ndodh rëndom në raste të tilla me ish-futbollistët. /vipsport/