Skuadra e Gjilanit ka hedhur “grepat” sërish në Abissnet Superiore. Kështu, pasi firmosën me Zekirija Ramadanin si trajner dhe me ish-qendërmbrojtësin e Egnatias, Besart Krivanjeva, gjilanasit duan të firmosin edhe me fantazistin shkodran, Edon Hasani.
Trajneri Ramadani duket se i ka njohur mirë futbollistët e vlefshëm në kampionatin shqiptar dhe tashmë kërkon t’i marrë një e nga një futbollistët që shkëlqyen sezonin e fundit në Superiore. Për Hasanin, ka edhe një opsion drejt ekipit të Turan në Azerbajxhan, me të cilin ka pasur edhe bisedime.
Fillimisht u bë fakt i kryer se do të hidhte firmë për këtë skuadër, por deri tani kjo gjë nuk është konkretizuar dhe për rrjedhojë lojtari është duke parë edhe për opsione të tjera.
Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim e ardhmja e mesfushorit shkodran, Edon Hasani. Gjilani në këtë mënyrë është një tjetër opsion për vazhdimin e karrierës së tij.
Maringlen ZHIVANI