Ka përfunduar ndeshja mes Partizanit dhe Bylisit e vlefshme për javën e 26-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Arena e Demave”, përfundoi 2-3 në favor të miqve të cilët përmbysën në fund. Pas kësaj sfide ka folur trajneri i të kuqve, Aleksandar Veselinovic.
“Mendoj se është e sjellshme nga ana ime ta uroj Bylisin për fitoren. Nuk është rastësi që na kanë mposhtur dy herë. Falenderoj dhe tifozët për atmosferën. Për futbollin mund të themi shumë, por ajo që duket është se nga 2-0, humbëm 2-3.
Për një analizë më të detajuar duhet të jemi më të qetë, nuk është momenti. Uroj edhe një herë tjetër Bylisin për fitoren. Ne kemi pasur rastet tona kur ishim 2-0, ato shënuan shpejt për 2-1. Në pjesën e dytë nuk jemi përgjigjur siç duhet. Kjo rezultoi që Bylis fitoi ndeshjen.
Për të marrë mendimin e duhur duhet të jemi çdo ditë në stërvitje me futbollistët, për të vendosur, si, kush, kur dhe sa do luajë. Disa lojtarë janë të gatshëm për 90 minuta, disa të sëmura, disa të lënduar. Çdokush nga ne e sheh futbollin ndryshe, vlerësoj çdo mendim dhe e respektoj atë.
Shqetësohem kur humbas ndeshjet dhe s’dua të ndodhë. Ajo është e vetmja gjë që më shqetëson”, është shprehur Veselinovic.