Trajneri shkodran i Tërbunit, Elvin Beqiri, mbeti i kënaqur nga përgjigjet që mori nga skuadra e tij në ndeshjen e djeshme në “Loro Boriçi”.

Në prononcim, ish-mbrojtësi i Kombëtares që do të drejtojë për herë të parë një klub pas eksperiencës me përfaqësuesen U-19, foli për ndeshjen me Vllazninë dhe synimet që ka në krye të pukjanëve.

“Për ne ishte një miqësore luksi. Mendoj se e kam parë edhe me mirë ekipin në këtë ndeshje, por kemi shumë për të bërë. Jemi vetëm në hapat e parë të punës. Dita-ditës pres që skuadra të kompletohet dhe të marrë ngarkesën e duhur.

Do të zhvillojmë një fazë të plotë përgatitore dhe në ditët në vijim do të shikojmë, pse jo, edhe mundësinë e një tjetër ndeshjeje miqësore me Vllazninë. Besoj shumë se do të ndërtojmë një skuadër që të jetë konkurruese në sezonin e ri”, deklaroi trajneri i Tërbunit, i cili për shumë vite ka mbajtur shiritin e kapitenit te skuadra shkodrane.