Aventura e Kristiano Ronaldos tek Mançester Junajtid mund të përfundojë më shpejt sesa pritej. Sipas prestigjiozes ‘The Sun’ Ronaldo do të largohet në fund të sezonit, nëse nuk arrihet zona Champions. Po cila do të jeta skuadra e tij e re?

Ronaldo u rikthye me bujë në madhe në Mançester, por siç e ka thënë dhe ai, rikthimi u bë që të fitonte trofe dhe jo të kalonte kohën. Për këtë arsye ‘The Sun’ ka renditur 5 skuadra që mund të jenë destinacioni i radhës i portugezit.

MANÇESTER SITI

36 vjeçari ishte shumë pranë akordit me ‘Qytetarët’ në merkaton e verës, por në fund vendosi të rikthehej tek Junajtid. Gjithsesi trajneri Pep Guardiola e vlerëson sulmuesin dhe i duhet dikush që mund të mbushë boshllëkun e krijuar nga Kun Aguero, i cili u largua në verë për tek Barcelona. Siti është një skuadër që ka dominuar në Angli vitet e fundit dhe i shkon përshtat ambicjeve të Ronaldos.

PSG

Francezët tashmë janë një ekip yjesh ku vetëm në sulm kanë lojtarë të kalibrit si Mbape, Nejmar dhe Mesi. Paratë e sheikëve ndoshta do ta intrigojnë Ronaldon dhe sepse ai nuk ka luajtur kurrë në Francë. Tifozët ëndërrojnë të shohin portugezin dhe Mesin në një ekip.

INTER MIAMI

Skuadra e cila është në pronësinë e legjendës Devid Bekam, po tërheq shumë yje nga Europa dhe Ronaldo do të ishte qershia mbi tortë.

SPORTING LISBONA

Për 36 vjeçarin ky do të ishte një rikthim në vendlindje. Mamaja e tij ka shprehur shpesh dëshirën që djali i saj të beshë përsëri fanellën e Sportingut.

REAL MADRID

Me madrilenët Ronaldo ka fituar gjithçka dhe aty do të gjente Karlo Ançelotin, me të cilin fitoi ‘La Deciman’ në 2014.

Për momentin nuk ka asnjë tratativë sepse gjithçka do të varet nga ecuria e Mançester Junajtid deri në fund të sezonit. Anglezët gjenden aktualisht në vendin e 6 në kampionat, me vetëm 17 pikë të grumbulluara.