Christian Panucci e ka thënë që nuk do të bëjë revolucion në kombëtare, por disa lëvizje kanë nisur të bëhen dhe trajneri italian po shikon disa futbollistë që mund t’i bëjnë punë për kualifikueset e “EURO 2020”.
Kamer Qaka dhe Astrit Ajdareviç ishin dy emrat e rinj që u ftuan në miqësoren me Turqinë, ndërkohë që janë “pikasur” edhe të tjerë që mund t’i bëjnë punë kuqezinjve tani dhe në të ardhmen.
Te Shpresat janë disa lojtarë interesantë dhe një nga ata është edhe Fiorin Dyrmishaj.
21-vjeçari ka shënuar tre gola në kampionatin grek me Panionios, ndërkohë që është aktivizuar rregullisht atje. 11 ndeshje si titullar në 16 të luajtura në total në kampionat. Fakti që luan tregon që lojtari është gati, të paktën të futet në rrethin e kombëtares A.
Para disa kohësh kishte shumë fjalë se mund të vishte fanellën e Greqisë, por kjo ka pak gjasa të ndodhë.
Dje sulmuesi arriti të shënojë dy gola në ndeshjen e Kupës kundër Lamia. 17’ dhe 55’ ai realizoi në fitoren 1-4 të skuadrës së tij dhe kështu i dërgon dy “zile” trajneri Panucci, madje jo me “#31#”.
Tani Durmishaj pret një ftesë, por që sigurisht konkurrenca për një vend të Shqipëria është e madhe, qoftë edhe për t’u grumbulluar. /EDS/