Komisioni i Disiplinës ka dhënë sot vendimet për javën e lënë pas, duke dënuar përjetë portierin e Shënkollit, Rinev Danaj. Shkak për këtë dënim, u bë dhuna e shfaqur në takimin mes Veleçikut dhe Shënkollit ku Disiplina pretendon se ka pasur dhunë ndaj zyrtarëve të ndeshjes, ndërkohë që vetë Danaj e mohon këtë gjë.

Në një prononcim për ‘VipSport.al’, portieri i Shënkollit ka sqaruar gjithçka që ndodhi në Pukë, duke e konsideruar si diçka që vjen si shkak i sistemit në futbollin shqiptar. “Aman, çfarë të sqaroj. Futboll shqiptar, siç e dinë të gjithë”, kështu e nis portieri Danaj prononcimin e tij.

“Çfarë të them unë? Më thuaj, a luhet futboll në një temperaturë -15 gradë celsius. Na dukej vetja sikur kemi shkuar për hall në Pukë dhe jo për të luajtur futboll. Pas portave nuk kishte asnjë person që mund të kapte topin dhe çdo top që shkonte jashtë, më duhej mua të ikja për ta kapur duke humbur edhe minuta. Si përfundim gjyqtari jep edhe 2 minuta shtesë. E kupton se çfarë futbolli luhet?

Imagjino, -15 gradë temperaturat dhe në stadium nuk kishte as ambulancë dhe as polici. Arbitri dukej sikur ka ardhur për të përfunduar sa më shpejtë ndeshjen dhe jo për ta mbajtur drejtë. Pastaj, Disiplina thotë ‘ka dhunuar zyrtarin’.

A mund të quhet dhunë veç një shtyrje në moment gjaknxehtësie? Mirë unë që isha në provë dhe ndoshta kjo ka ndikuar, po shefi i klubit që është dënuar me 18 muaj pa bërë asgjë? Megjithatë, unë do ta apeloj vendimin dhe të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh Danaj. /VipSport/