Braziliani Malkom duhej të ishte blerja e madhe e Barcelonës për këtë verë. Në fakt të gjithë e prisnin të ishte i tillë, pasi katalanasit bënë gjithçka që të merrnin futbollistin, duke ia rrëmbyer nga duart Romës e cila nuk ngurroi ta quante “mashtrimin e shekullit” atë që i ndodhi me lojtarin i cili ndërroi mendje në aeroport.

Por Barcelona po paguan shumë shtrenjtë këtë vendim, pasi për 41 milionë eurot që ka shpenzuar për të marrë lojtarin nga Bordo, e ka shfrytëzuar atë shumë pak në fushën e lojës.

Në fazën përgatitore, braziliani luajti 259 minuta, titullar në 3 nga 4 ndeshjet miqësore. Por që nga atëherë, ka luajtur vetëm 25 minuta.

Në Superkupën e Spanjës as nuk u grumbullua, ndërsa në kampionat ka mbyllur 6 ndeshje pa luajtur duke vëzhguar nag bankina apo tribuna.

Në total, bilanci në të gjitha kompeticionet zyrtare tregon se ka luajtur 25 minuta, shumë pak për një lojtar i cili u ble si emri që do të bënte të harrohej dështimi me Grizman por po rezulton edhe vetë nëj zhgënjim i madh. /vipsport/