Partizani ka fituar 3-0 me Bylis. Pas shtatë vitesh, Demat kanë triumfuar në kryeqytet me ballshiotët, që ishin kthyer në një “mace të zezë”. Ndeshja ka folur për vendasit, që kanë shënuar pas 15 sekondash me Junior pas gafës së Qirkos.

Në të 69 minutë është kujdesur Asani që ndeshja të shkonte në 2-0, teksa Erald Çinari ka vulosur gjithçka në të 84 minutë. Partizani me këto tri pikë shkon në vendin e dytë me 47 pikë, po aq sa Vllaznia. Demat tanimë janë -2 nga Teuta kryesuese. Bylis “bie” në Tiranë pas shtatë vitesh, në ndeshjet kundër Partizanit.

Pas ndeshjes për Gol pas Goli foli Erald Çinari, futbollisti i Partizanit:

“Momenti i duhur? Të them të drejtën kemi bërë ndeshje të mira, por jo rezultate të tilla. Sot duhej tri pikëshi sepse kemi objektiva madhore për titull. Sot ishte një ndeshje shumë e mirë dhe dolëm të gëzuar. 37 gola këtë sezon si ekip? Besoj se çdo gjë fillon nga mbrojtja, mesfusha dhe pastaj sulmi. Nëse kemi komponentët e duhur do vijnë rezultatet.

Pozicioni apo 9 tipik? Që i vogël kam luajtur në sulm edhe anësore. Pozicioni im është djathtas sulmit.

Ne jemi sulmi më i mirë dhe konkretizimi ka ardhur, nëse bëjmë ne golat dhe jemi këtu ekipi ka funksionuar. Teuta mbrojtja më e mirë? Kemi ngrënë gola sepse në ndeshje të caktuara sepse nuk kemi bërë mirë.

Ofertat? Nuk di asgjë, i kam lexuar dhe më kanë thënë të tjerët por jam i fokusuar te Partizani. Si të gjithë që duan të luajnë jashtë edhe unë kam këtë dëshirë, shpresoj sa më shpejt”, tha Çinari.