Akademia Vllaznia ka nisur një praktikë të re, atë të vlerësimit të lojtarëve më të dalluar të saj dhe kjo do të ndodhë pas përfundimit të çdo muaji, vlerësim ky që do të vijë nga stafi i trajnerëve por edhe nga një sondazh i sportdashësve. Kështu, për muaji shtator lojtari që mori më shumë vota ka qenë ai i ekipit U17, Erdis Valikaj.

Ai luan në rolin e mbrojtësit të djathtë dhe është shumë energjik dhe luftarak, plot grintë duke vrapuar në të gjithë hapësirat e fushës me shpirtin e garës që e kartakterizon, një lojtar me karakter të fortë, i kompletuar në aspektet teknik dhe taktik, që e ndihmojnë atë të japë më të mirën në fushën e lojës.

Në të gjitha ndeshjet e muajit shtator ai ka treguar një formë shumë të mirë sportive dhe jo vetëm ka qenë titullar i padiskutueshëm në formacionin e trajnerit Arber Shytani, por edhe është kthyer në një pikë referimi për këtë skuadër me lojën e tij.

Vetë Valikaj në një prononcim të shkurtër pas vlerësimit si “Lojtari më i mirë i muajit shtator”, është shprehur: “Jam i lumtur për këtë vlerësim që ka ardhur nga votimet e sportdashësve, por edhe nga përzgjedhja e bërë nga stafi i trajnerëve të Akademisë për të qenë në mes tre më të mirëve të këtij muaji.

Po punojmë fort çdo ditë nën drejtimin e trajnerëve Arber Shytani dhe Valdano Nimani. Më duhet të vazhdoj të punoj fort në mënyrë që një ditë të realizoj ëndrrën time, të luaj me ekipin e parë të Vllaznisë”./www.shkodrasport.com/