UEFA ka përditësuar të dhënat e saj mbi situatën e kartonëve të verdhë dhe futbollistëve të pezulluar për ndeshjet e radhës të përfaqësueseve të ndryshme në kualifikueset e Euro 2020 dhe për Shqipërinë, situata duket disi problematike pasi shumë futbollistë të rëndësishëm dhe vetë trajneri Reja rrezikojnë ndeshjen përmbyllëse kundër Francës.

Në listën e UEFA-s rezulton nga grupi i kuqezinjve i pezulluar për ndeshjen me Andorrën vetëm Klaus Gjasula, pasi ka grumbulluar tre kartonë të verdhë, ndërsa ndalohet të luajë në këtë sfidë edhe mbrojtësi i U21, Shaqir Tafa.

Pezullimi i tij vjen për grumbullim kartonësh në ndeshjet me U21 dhe UEFA sipas rregullores e mbart këtë dënim edhe te përfaqësuesja A, ndaj e ka përfshirë Tafën në listën e atyre që ndaj Andorrës nuk mund të zbresin në fushën e lojës.

Por në sfidën ndaj ekipit të Andorrës, do të duhet që 5 futbollistë të jenë shuëm të kujdesshëm e të mos ndëshkohen me karton, pasi përndryshe humbasin sfidën ndaj Francës.

Abrashi, Bare, Çikalleshi, Dermaku dhe Xhaka janë lojtarët të cilët nëse ndëshkohen, arrijnë shifrën e tre të verdhëve dhe do të jenë të detyruar që inaugurimin e stadiumit të ri ta bëjnë nga tribuna dhe jo nga fusha apo pankina./vipsport/