Mister me fondet e UEFA-s të destinuara për stadiumin e Kukësit. Denoncimi vjen nga presidentii nderit i verilindorëve, Safet Gjici, i cili ka treguar se si FSHF nuk ka respektuar deri tani pjesën e saj të paktit sa i përket rindërtiimit të impiantit “Zeqir Ymeri”.
Në fundin e muajit prill, UEFA vendosi që për shkak të situatës së COVID-19, të lëvronte të gjitha fondet e projektit Hattrick që federatat do të merrnin për ciklin katërvjeçar, në mënyrë që t’i përdornin gjatë periudhës së krizës.
FSHF u ngut të deklaronte se këto fonde do të shkonin për stadiumin e Kukësit e investime të tjera të planifikuara, duke zgjedhur të mos i kalonte ato për të ndihmuar klubet në krizë.. Por për çudi, në Kukës këto fonde që UEFA i lëvroi që në prill., nuk kanë mbërritur ende, siç ka shpjeguar sot vetë Gjici.
“Nuk kam informacion që janë ndërprerë punimet, punimet po vazhdojnë, janë bërë kolonat në krahun perëndimor. Kemi kërkuar që të behet hoteli edhe për sportistët. Edhe aty është një rregullim projekti, por është një punë që mbaron shpejt. Ne kemi hallet për fondet.
Ka dhënë pjesën e vet qeveria, ndërsa FSHF nuk ka lëvruar fondin e vet, kjo sepse Federata ka disa procedura me UEFA-n, për fondet që do të vijnë në shtator. Gjithsesi, kompania nuk është se po pret fondet, po punon. Nuk po bëhet një punë me ritme të ngadaltë”, tha Gjici.
Tashmë i mbetet FSHF-së të shpjegojë se pse fonde të cilat mund të tërhiqeshin që në fund të muajit prill sipas vetë UEFA-s, nuk kanë shkuar ende në destinacionin për të cilin ishin tërhequr. /vipsport/