Pasditen e sotme është luajtur ndeshja në mes Vllaznia U19 dhe kazakistanasve të Astanës, e vlefshme kjo për “Uefa Youth Lague”. Kjo ndeshje ishte programuar që të transmetohej nga RTSH, televizion i cili prej një jave po transmetonte edhe një spot për këtë ndeshje.

E gjitha kjo sipas një kontrate të firmosur me KF Vllaznia si organizator i këtij takimi. Por në fakt, ndeshja nuk u transmetua nga televizioni publik shqiptar. Burime pranë klubit shkodran bëjnë ët ditur se pengesë për këtë gjë është bërë UEFA.

Në mbledhjen e paradites së sotme që zhvillohet si zakonisht para ndeshjeve zyrtare, përfaqësuesi i institucionit të futbollit europian ka pyetur se kush e transmeton ndeshjen.

Pasi është njohur me faktin që kjo ndeshje do të transmetohet nga televizioni publik shqiptar, ai është vënë në lëvizje dhe pas kontakteve që ka patur me përfaqësuesit e këtij televizioni, e kanë njoftuar se nuk mund të transmetohet pa marrë lejen nga zyra përkatëse e UEFA-s që merret me transmetimet televizive.

Kjo e fundit i ka bërë të ditur RTSH-së se “të drejtën e transmetimit të këtyre ndeshjeve të “Uefa Youth League” ashtu si ato të “Champions League”, për Shqipërinë i ka kompania “Tring”.

Kjo e fundit nuk ka shfaqur asnjë interes për një transmetim të tillë megjithatë e paska fituar të drejtën e tij. Në këto rrethana, ndeshja Vllaznia U19- Astana U19 nuk është lejuar të transmetohet nga RTSH, madje as edhe nga televizionet lokale të Shkodrës.
www.shkodrasport.com