Dosja Skënderbeu merret zyrtarisht nën hetim nga ana e UEFA-s, që këtë të premte nëpërmjet një lajmërimi në faqen e saj ka bërë të ditur se ka nisur proçedurën për vërtetimin e fakteve të paraqitura së fundmi nga ana e dy inspektorëve të Komisionit të Etikës dhe Disiplinës pranë saj.

Në deklaratën e publikuar UEFA ka theksuar se hetimi bazohet kryesisht në të dhënat e mbledhura nga BFDS, që është sistemi që zbulon ndeshjet e trukuara.

Sipas asaj që sqarohet në komunikatën e UEFA-s nga të dhënat e reja të marrë nga sistemi BFDS, Skënderbeu dyshohet se është dhe më tepër i përfshirë në trukimin e ndeshjeve dhe për këtë shkak UEFA mund të ndërmarrë një dënim më afatgjatë ndaj klubit korçar.

Gjithashtu në komunikatën e UEFA-s bëhet e ditur se inspektorët që janë marrë me këtë çështje kanë marrë kërcënime anonime me vdekje duke sqaruar gjithashtu se këto veprime nuk do të frikësojnë askënd dhe se personat e përfshirë në hetim kanë mbështetjen e plotë të qeverisë së futbollit europian.

Madje UEFA ka publikuar dhe një mesazh mbështetës nga ana e presidentit, Aleksander Ceferin i cili ndër të tjera shkruan:

“Ne nuk do të lejojmë që persona të stafit të UEFA-s që po merren me këtë çështje, apo me çështje të tjera, të jenë subjekt kërcënimi nga palë të treta dhe ata kanë mbështetjen e plotë të organizatës dhe timen personalisht – përfundon mesazhi i presidentit të UEFA-s Aleksander Ceferin.

Me datë 7 shkurt 2018, dy inspektorë të UEFA-s dorëzuan pranë zyrave të qeverisë së futbollit europian një kërkesë për dënimin 10 vjeçar të klubit të Skënderbeut, për shkak të përfshirjes së këtij të fundit në trukimin e ndeshjeve.