Mosmarrja ende e një vendimi për dënimin apo jo të ekipit të futbollit të femrave të PAOK, natyrisht që ka vënë në siklet drejtuesit e ekipit të Vllaznisë. Apelimi i tyre për aktivizimin e një futbollisteje të pafederuar nga grekët, po analizohet mirë nga Komisioni i Disiplinës së UEFA-s që duhej të kishte dhënë një vendim të premten e kaluar por ai ka vendosur ta shtyjë atë me idenë e mbledhjes së fakteve të reja. Por lajmi më i fundit që mësohet është se kjo shtyrje nuk do të zgjasë shumë.
Sipas presidentit të Vllaznisë Lazer Matija, nga komunikimi i fundit që ka patur ditën e djeshme me UEFA-n, mësohet se ky organizëm do të japë një vendim përfundimtar në lidhje me këtë çështje deri më 15 shtator. Shkodranët padyshim që presin dënimin e PAOK sepse veprimi i tyre për të aktivizuar një futbolliste të pafederuar në ndeshjet e Champions League, është i rëndë. Nëse ndodh ky dënim,atëherë Vllaznia do të kualifikohej për në turin e dytë të këtij kompeticioni të rëndëishëm ku do të ndeshet me Spartën e Pragës.
© shkodrasport.com