Uheid Hoxha është një nga talentet më të mira që ka nxjerrë akademia e Vllaznisë. Një lojtar me aftësi të mëdha që do t’i bënte shumë punë edhe ekipit të parë të shkodranëve, por aktualisht ai po merr minutat e duhura me 21-vjeçarët, teksa edhe në ndeshjen e djeshme ndaj Apolonisë ka arritur të shënojë, duke qenë një lojtar kyç në lojën e 21-vjeçarëve të Vllaznisë.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, ky futbollist ka folur në lidhje me objektivat e tij personal, por edhe rreth së ardhmes së tij, teksa nuk e përjashton mundësinë e ndonjë largimi të mundshëm.

“Ishim ne ato që e bëmë një fitore të lehtë ndeshjen ndaj Apolonisë, sepse e vlerësuam në maksimum ndeshjen dhe shënuam 3 gola shumë shpejt, sepse kështu e nënvlerësuam Egnatian dhe në fund e pësuam. Për golin jam i lumtur, por me rëndësi është fitorja e ekipit, sepse ky vit ka nisur mbarë për mua.

Jam në pritje për zhvillime të reja edhe unë, po nuk erdhi diçka më e mirë se Vllaznia, besoj do vazhdoj këtu por nuk i dihet. Synimi im është të luaj për Vllazninë në Superiore për momentin, pastaj normal në qoftë se më jepet shansi duhet ta shfrytëzoj. E ardhmja dhe ëndrra ime është të luaj një ndeshje me Kombëtaren e madhe. Objektivi personal është të rritem nga ndeshja në ndeshje”,-thekson mesfushori.

Hoxha mendon se ekipi i 21-vjeçarëve është pretendent për titullin, teksa shprehet se është i bindur që këtë vit mund të shpallen kampion.

“Besoj se po u ruajt ky grup do shpallemi kampion, sepse edhe stafi është shumë profesionist sivjet. Mendoj se mund të ia dalim, renditja flet vetë”,-thotë 21-vjeçari.

I pyetur edhe për trajnerin Sibson dhe frymën që ai ka futur në skuadër, mesfushori thekson se anglezi ka një mentalitet ndryshe nga trajnerët shqiptarë.

“Sibson është një trajner shumë pozitiv dhe ka sjellë harmoni në ekipin e U21, poashtu si Brdariç në ekipin e parë. Besoj se mentalitetin e kanë ndryshe nga trajnerët shqiptarë, sepse sillen me lojtarët si shokë”,-shprehet ai.

Në fund, Hoxha ka një dedikim tepër special për golin e shënuar dje ndaj Apolonisë.“Për familjen shkon çdo gjë, çdo sukses i imi i dedikohet familjes”,- mbylli mesfushori i Vllaznisë, Uheid Hoxha.
Maringlen Zhivani