Sezoni i shkuar në kampin e Bajernit u konsiderua si më i vështiri në historinë e kampionëve gjermanë. Shkarkimi i Julian Nagelsmanit befasoi jo pak, i cili erdhi në një moment kur objektivat e klubit ishin në linjën e duhur. Për të ngacmuar edhe njëherë “plagën e vjetër” ka menduar Presidenti i Nderit në Mynih, Uli Hënës.

71-vjeçari, në një prononcim të shkurtër për “BR24”, ka pohuar se vendimi për të “dëbuar” Nagelsmanin ishte marrë nga binomi Kahn-Salihamixhiç dhe ai nuk kishte asgjë në dorë për të ndryshuar këtë gabim siç e konsideron. Më tej Hënes zbulon dështimin me Kahnin si shef të klubit si edhe shumën fikse që kampionët e Bundesligës kanë shpenzuar në sigurimin e Herri Kejnit.

SHKARKIMI I TRAJNERIT-“Unë nuk e largova Nagelsmanin nga pozita e trajnerit. Kur më njoftuan Oliver Kahn dhe Hasan Salihamixhiç vendimi ishte marrë. Ata thjesht më lajmëruan dhe unë nuk kisha asnjë tentativë për të zhbërë. Nuk ishte e domosdoshme të ndodhte, në një periudhë kur gjithçka ishte në rrjedhë pozitive brenda objektivave.

E konsideroj si zgjedhje jo të mençur, po ja që ndodhi”, tha Uli Hënes. Me shumë gjasa kjo deklaratë nuk ka për t’u pritur mirë nga Tuhel, e cila bën të kuptosh se tekniku aktual e mban këtë rol si shkak i gabimit të bordit dhe jo prej rezultateve në ekipet pararendëse.

KOSTOJA E KEJNIT-“95 milionë euro është kuota që ne jemi dakordësuar me Totenhemin për nënshkrimin e Herri Kejnit si kosto fikse. Por ajo mund të rritet në rast se fitojmë Bundesligën apo Champions-in, kjo gjithmonë në varësi të paraqitjeve individuale dhe ekipore”, pohoi me tone të sigurta Presidenti i Nderit në klubin më të titulluar në Gjermani.

Dështimi me Kahnin- “Emërimi i Oliver Kahnit si shefi i Bajernit rezultoi gabim i madh. Kur e kuptova se ai nuk mund ta mbante më si rol menaxhues, e ndryshova menjëherë, duke vendosur Karl-Hainc Rumenigen në strukturat e brendshme, me qëllim parandalimin e dëmit të shkaktuar. Mungesa e eksperiencës dhe vizioni i qartë në profile kaq të larta mund të çojnë në shkatërrim, prandaj u përpoqëm për të stabilizuar struktura me largimin e tij dhe të Salihamixhiçit”, përfundoi Hënes.