Uliks Kotrri, ish-futbollisti dhe tashmë menaxheri shkodran, ka analizuar situatën e Vllaznisë. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai shprehet se skuadra duhet të gjejë reagimin në vitin 2025.

Ndërsa thekson se ky pushim i kampionatit vjen në momentin e duhur për kuqeblutë. Po ashtu ish-mbrojtësi tregon edhe për pozicionet ku sipas tij kuqeblutë duhet të përforcohen në merkato.


Humbje që “djeg” disi më pak kjo me Partizanin?

Besoj se nga situata ku ndodhej ekipi edhe një barazim ndaj Partizanit do të ishte shumë pozitiv. Nuk mund ta justifikoj me mungesat, sepse lojtarët janë të barabartë, por edhe ata që zbritën në fushën e lojës nuk kanë minuta, nuk kanë ritëm dhe prandaj ekipi “çalon” momentalisht.


Është ky një ekip që pretendon për titull deri në fund?

Kjo skuadër në momentin që do jetë e plotë do të bëhet e frikshme. Kam besimin absolut që Vllaznia mund të luftojë për titullin deri në fund. Pasi futbollistët e saj kanë cilësi e po ashtu e tregojnë edhe përballjet direkte me kundërshtarët dhe ecuria që ka pasur këtë kampionat. Ku pavarësisht vështirësive ia ka dalë mbanë të jetë në mesin e ekipeve kryesuese.