Uliks Kotrri, ish-kampioni i vendit me Vllazninë, sot në rolin e menaxherit, ka analizuar për “Panorama Sport” ndeshjen e fundit të kuqebluve kundër Elbasanit në Kupë.Sipas ish-mbrojtësit, shkodranët morën atë çfarë u duhej në një duel që, sipas tij, nuk u ngrit në nivelin e duhur. Po ashtu ai thekson se i shikon kuqeblutë si favoritë për të kaluar turin. E ndërsa ndan edhe një mendim për disa nga elementët e shkodranëve, duke veçuar Kevin Dodajn.
Kotrri, barazim në ndeshjen e parë të Kupës, Elbasani-Vllaznia. Si ju duk ky duel?
M’u duk ndeshje e ekuilibruar, pa shumë nerv dhe gati si një “miqësore”. Them se Vllaznia mori atë çfarë iu nevojit për të luajtur gjithçka në Shkodër. Them se ndeshja nuk u ngrit në nivelin e duhur, pasi m’u duk se të dyja skuadrat kërkonin të mos rrezikonin.
A duhet që Vllaznia të synojë të dy trofetë?
Patjetër që po. Kjo jo vetëm për faktin se tashmë është thuajse në gjysmën e rrugës për të arritur fazat finale të kompeticioneve, por edhe për përbërjen e skuadrës. Ekipi i ka kapacitetet për të përballuar të dy turnetë dhe të pretendojë fitimin e tyre.
Si e komentoni mbajtjen e Dodajt në ekip?
Këto 4 muaj duhet të rrijë në Shkodër dhe do të ishte gabim nëse do të lëvizte që tani, sepse është shumë i ri. Madje, edhe po të qëndronte dhe sezonin tjetër, nëse Vllaznia do të ketë një ekip cilësor dhe pretendent. Besoj se do të rritet akoma më tepër, sepse, të shkosh nga Shqipëria në top kampionate, është shumë e vështirë, pavarësisht talentit të padiskutueshëm që ka Dodaj.