Ecuria e mirë e Vllaznisë ka bërë që në Shkodër të ketë ndoshta më shumë entuziazëm se sezonin e kaluar për rikthimin e titullit të munguar prej shumë vitesh.

Uliks Kotrri, ish-futbollisti i Vllaznisë dhe aktualisht menaxher, në një intervistë për “Panorama Sport” komenton nisjen shumë të mirë të sezonit, punën që është bërë dhe atë çfarë pret nga kjo skuadër në të ardhmen. Kotrri, i cili bëri të mundur transferimin e Rejan Alivodës në Emiratet e Bashkuara Arabe, flet edhe për elementët e rinj të Vllaznisë.


Uliks, një start mjaft i mirë i sezonit nga Vllaznia. Sa mund ta mbajë ajo këtë ritëm?

Fillimi është vërtet shumë i mirë. Mendoj se mundësitë janë për ta mbajtur këtë ritëm, pasi nga sa kemi parë në ndeshjet e para, Vllaznia është në një nivel të kënaqshëm krahasuar edhe me ekipet e tjera rivale. Nuk kam parë asnjë ekip që të jetë dominues, siç ka qenë sezonin e kaluar Egnatia, prandaj mendoj se i ka mundësitë për vijuar me këto ritme. E thashë, janë ritme shumë të kënaqshme.

Duke parë që rivalët këtë herë nuk duken “të frikshëm”, a mendon se titulli më në fund mund të vijë në Shkodër?

Skema e “Final 4” lejon që ekipet të mos shfaqen siç duhet në tri fazat e para të sezonit. E thashë më lart që ekipet nuk janë me shumë diferenca. Unë do të veçoja sërish ekipet e Egnatias dhe Partizanit, që i shikoj në luftën për titull, por e theksoj se vetë skema i lë ekipet që të mos tregojnë vlerat e tyre. Nuk e përjashtoj Vllazninë këtë sezon, që me kontigjentin që ka, të kërkojë titullin kampion.