Trajneri i Vllaznisë, Hasan Lika, kërkon maksimumin në dy përballjet radhazi që skuadra do të luajë në fushën e vet. Shkodranët, fundjavën e ardhshme, presin Dinamon dhe pas një jave Besëlidhjen.

Pavarësisht se stafi teknik është shprehur disa herë se takimet do t’i marrë me radhë, këtë herë u është kërkuar futbollistëve që të sigurojnë gjashtë pikë në dy ndeshjet e radhës. Tekniku Lika ka nisur menjëherë nga puna dhe duket se po i vlerëson shumë sfidat me blutë dhe më pas me Besëlidhjen.

“Kemi dy ndeshje në fushën tonë, me Dinamon dhe më pas me Besëlidhjen. Duhet të marrim patjetër gjashtë pikë që të vazhdojmë rrugën që kemi nisur. Janë dy ndeshje të forta, por është momenti që të mos gabojmë në asnjë ndeshje, me qëllim që të jemi më të qetë drejt objektivit final, rikthimit në Superiore.

Nuk ka vend për eufori, pasi asgjë nuk ka përfunduar. Duhet të vlerësojmë maksimalisht çdo kundërshtar”, u ka thënë ndër të tjera Lika lojtarëve gjatë takimit që ka zhvilluar me ta.

Aktualisht, diferenca mes kuqebluve kryesues të Grupit A në Kategorinë e Parë dhe shijakasve është 8 pikë. Në Shkodër kërkojnë të sigurojnë Superioren sa më shpejt dhe trajneri Hasan Lika edhe dje, bashkë me stafin e tij para skuadrës, kanë kërkuar 6 pikë duke ua vënë si ultimatum lojtarëve për vetë synimet që ka ekipi kuqeblu.

ECURIA

Vllaznia momentalisht ndodhet në vendin e parë me tetë pikë diferencë nga skuadra e Erzenit, që është i dyti. Pas dy fazave të para, Vllaznia u rendit e para me 12 pikë diferencë, teksa, sipas rregullores, kuqeblutë kanë nisur fazën e tretë me 6 pikë diferencë nga skuadra shijakase.

Shkodranët fituan në sfidën e parë të fazës së tretë në Peshkopi, ndërsa Erzeni u ndal në një barazim në Lezhë. Me këtë ecuri që ka deri tani Vllaznia, duket se Superiorja është shumë pranë. Gjithsesi, ka ende edhe shumë ndeshje dhe për këtë stafi teknik po vijon punën për të kërkuar që të mos ulë aspak ritmet e punës në mënyrë që kalimi në Superiore të mos ketë asnjë mëdyshje.

Pavarësisht se të gjithë e quajnë ngjitjen në elitë si fakt të kryer, stafi teknik dhe lojtarët kërkojnë të mos kalojnë në eufori derisa gjithçka të jetë siguruar matematikisht. Vllaznia do të vazhdojë t’i luajë ndeshjet si pritëse në “Reshit Rusi”. Megjithatë, pas sfidave të Kombëtares, shkodranët mund të luajnë ndonjë takim edhe në “Loro Boriçi”, por kjo do të vendoset më vonë. Në dy takimet që Vllaznia ka luajtur këtë sezon me Dinamon, i ka fituar të dyja, 2-0 në Shkodër dhe 1-0 në Pezë. Këtë radhë do të kërkojë fitoren e tretë ndaj bluve.