Manchester United është në pikën më të ulët të historisë së vet dhe të gjithë po presin me padurim fundin e një sezoni dramatik, që bëhet edhe më i zi për faktin se Manchester United e Liverpool po luftojnë për titull dhe Liverpooli i urryer është në finalen e Champions League.

Efekti Ole Gunnar Solskjaer ka marrë fund me kohë, fitorja mungon prej një muaji dhe loja e Red Devils është katastrofë, siç u pa fundjavën e shkuar në Huddersfield.

Kupa është mbushur dhe tifozët e United e kanë humbur durimin. Të lodhur së prituri që lojtarët të japin më të mirën e vet, të lodhur nga pronarët që prej 6 vitesh nuk gjejnë dot njerëzit e duhur për rindërtimin, të lodhur nga Ed Woodward, ai që menaxhon financat dhe merkaton e klubit legjendar.

Renditja nuk gënjen, 29 pikë larg Cityt dhe 28 pikë larg Liverpoolit janë plagë të rënda për tifozët, që tashmë kanë vendosur ta godasin klubin jashtë fushe, duke nisur një fushatë që i fton tifozët të mos e ndjekin më United në rrjetet sociale.

‘#UnfollowManUnited’ quhet fushata që po kthehet në trend në Twitter, e nisur nga llogaria Twitter ’The Man Utd Way’, që shkruan: “Nuk jemi eksperiment i mediave sociale, nuk jemi agjenci reklamash. Duam që Man Utd të kthehet klubi i futbollit që ka qenë një herë e një kohë dhe nëse stadiumi do mbushet nga turistët, ne duhet të dëgjohemi këtu. #UnfollowManUnited” është hashtagu që duhet mbështetur, sepse Ed Woodward i përdor kanalet zyrtare të klubit për të reklamuar sukseset financiare të klubit. Nëse nuk e braktisni dot stadiumin, mos e ndiqni më United në rrjetet sociale – fundja aty vetëm për të shkuarën ka mesazhe”.

United ka 19.2 milionë ndjekës në Twitter, ndaj vështirë se një fushatë e tillë i shkakton dëme, por gjithsesi shifrat tregojnë se ka ndikim, sepse shumë tifozë nuk e ndjekin më United dhe numri i ndjekësve ka pësuar rënie të martën, gjë që nuk ndodhte prej shumë kohësh.