Në një mbrëmje gala të organizuar në stadiumin “Air Albania”, FSHF lancoi projektin më të ri, “Uniforma Ime”, që synon të pajisë me uniforma sportive dhe bazë materiale të gjithë fëmijët që ushtrojnë futbollin, nga mosha 7 deri në 19 vjeç.
Kreu i FSHF-së mbajti fjalimin para të ftuarve, ku duke kujtuar se nga çfarë situate e kishte nisur punën në krye të institucionit drejtues të futbollit disa vite më parë, nuk i fshehu emocionet për arritjet që janë shënuar gjatë këtyre viteve.
“Mbrëmja e sotme është nga ato net ku është e vështirë t’i fshehësh emocionet, nga ato mbrëmje që të bëjnë të kthesh kokën pas në kohë dhe të imponojnë të kujtosh nga e nisëm. Fillon gërmon në kujtime nga e nisëm dhe dallon rrugëtimin e gjatë e të bukur që kemi bërë në drejtim të rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm të futbollit shqiptar.
Jemi rritur, përmirësuar, zhvilluar duke pasur në qendër të projektit tonë fëmijët, ekipet kombëtare dhe infrastrukturën. E ardhmja e një Kombi janë fëmijët, pa diskutim që edhe në futboll është e njëjta logjikë. Pa ta futbolli do të vdiste, ashtu si edhe Kombi. Prandaj fokusi jonë kryesor dhe buxhetet tona më të mëdha prej vitesh alokohen te futbolli i bazës, për t’i dhënë kushte më të mira dhe më shumë mundësi ҫdo të riu dhe të reje që dëshiron të luajë futboll.
Qëllimet strategjike, që shpalosëm pak muaj më parë në strategjinë “Futbolli për Kombin”, ishin për ndokënd të paarritshme, elektorake, populiste. Por ja ku jemi sot, në finalizimin e një projekti transformues për futbollin e fëmijëve në vendin tonë.
Uniforma Ime nga sot, është një realitet i prekshëm për 15 mijë fëmijë që luajnë futboll në vendin tonë, për familjet e tyre. Ҫdo prind që ka sot një fëmijë që luan futboll dhe ata që dëshirojnë ti rrisin fëmijët me kulturën e të bërit sport, nga ky sezon do të shpenzojë 0 lek për të siguruar TË GJITHË bazën materiale të nevojshme për zhvillimin e stërvitjeve dhe ndeshjeve gjatë një sezoni futbollistik.
Secili prej jush do të ketë uniformën e stërvitjes, uniformën e lojës, tutat e përfaqësimit, ҫantën dhe fëshen e tij. Nga sot, NE Federata Shqiptare e Futbollit jemi një partner i madh i ҫdo familjeje shqiptare që përballej me një kosto të madhe vjetore për të dërguar fëmijën e tij për të bërë futboll”, u shpreh Duka.
Kreu i FSHF-së zbuloi kostot e realizimit të projektit “Uniforma Ime”, përmendi investimet e bëra deri tani dhe pranoi se në bashkëpunim me UEFA-n dhe qeverinë shqiptare, do të vijojë puna për të bërë akoma më shumë për zhvillimin e këtij sporti.
“Projekti Uniforma Ime , me një kosto vjetore 1.5 milionë euro, financuar 100% nga buxheti FSHF , i prezantuar në të gjithë Shqipërinë, sot bëhet i prekshëm, duke qenë se ju keni ose po merrni nëpër duar materialet sportive të kompanisë së mirënjohur Macron, me të cilat do të luani e stërviteni gjatë gjithë këtij sezoni futbollistik. Pa dyshim projekti do të përsëritet në të gjithë sezonet e ardhshme. Ky projekt është padiskutim një ndër më të bukurit e më të rëndësishmit që kemi realizuar në gjithë këto vite, kjo sepse i përket totalisht futbollit të bazës, atij që ështe edhe themeli i zhvillimit të futbollit në një vend.
Nuk do të ndalemi në asnjë moment në objektivin tone për t’i krijuar ambientin perfekt ҫdo vajze dhe ҫdo djali për të luajtur futboll. Kjo është në themel të punës sonë të përditshme dhe ne jemi koshient se po ecim në rrugën e duhur. Ne i dimë detyrimet tona, të cilat shkojnë në shumë raste dhe përtej mundësive tona, por e dimë sesa e rëndësishme është për ҫdo nënë e baba që t’i sigurojë fëmijës së vet mundësinë për të luajtur sportin më të dashur për shqiptarët.
Për të realizuar ëndrrat e fëmijëve tanë për kushte më të mira sportive pa dyshim që duhet të kapemi dorë për dore e të bashkojmë idetë, forcat e financat me të gjithë e kryesisht me Qeverinë Shqiptare , UEFA-n e FIFA-n. Ne kemi një eksperiencë fantastike për këtë, kur ndërtuam bashkë me Qeverinë shqiptare: strehën e parë moderne të ekipit tonë kombëtar “Elbasan Arena-n”, nga i cili pedaluam për herë të parë në historinë e Shqipërisë në Euro 2016, stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, e “Zeqir Ymeri” në Kukës.
Në fund të këtij muaji do të inagurojmë edhe “Shtëpinë e Futbollit” me prezencën e donatorëve kryesorë : Presidentin e FIFA, Giani Infantino e Kryeministrin e Shqipërisë z. Rama. Projektet tona do të ishin të pamundura pa një mbështetje totale nga UEFA, e them Totale pasi UEFA : na trajnon, asiston, e financon në çdo iniciativë e projekt.
Pra rruga jonë vazhdon, bashkëpunimi jonë duhet të vazhdojë për të mirën tuaj të dashur fëmijë, më shumë fusha duhet të bëjmë sëbashku, më shumë ligje që sigurojnë të ardhmen e sportit. Paratë e hedhura në sport nuk janë shpenzime, por investime, madje investime që kthehen shumë shpejt në buxhet”, tha ndër të tjera Duka.