Ylli i Mançester Junajtid, Kasemiro, ka pohuar se dëshiron të përfundojë kontratën e tij me klubin, pavarësisht interesimit nga Arabia Saudite. Mesfushori, i cili u transferua nga Reali i Madridit në vitin 2022 për 60 milionë paund, ka vuajtur të gjejë minuta këtë sezon dhe shpesh e ka gjetur veten në stol që nga ardhja e Ruben Amorimit.

Braziliani ishte titullar për herë të parë që nga muaji dhjetor në humbjen 1-0 me Totenhemin të dielën. Ai këmbëngul se ka ende shumë për të dhënë në “Old Trafford”, mes zërave se ai mund të kërkojë një rrugë daljeje në merkaton e verës.

Një intervistë për gazetën spanjolle “AS”, ai tha: “Më duhet të vazhdoj të bëj atë që po bëj, me shumë respekt dhe edukatë. Sigurisht që do të doja të luaja më shumë, sigurisht. Unë nuk njoh asnjë lojtar që nuk dëshiron të luajë dhe të ndihmojë. Gjithashtu, do të doja të ndihmoja klubin në këtë kohë. Unë i trajtoj gjërat me respekt për shokët e mi dhe stafin teknik. Dhe mbi të gjitha, unë respektoj Junajtidin, një klub të cilit i jam shumë mirënjohës.

Më kanë mbetur edhe një vit e gjysmë nga kontrata ime dhe do të doja ta përmbushja këtu në Mançester. Unë jam rehat këtu dhe familja ime po ashtu. Ata janë përshtatur, ne flasim anglisht. I jam shumë mirënjohës tifozëve të ‘Old Trafford’ dhe klubit. Jam i lumtur në nivel klubi. Jam i ri dhe më ka mbetur ende shumë jetë. Tani jam 33 vjeç, por në këtë epokë është si 28 vjeç. Ushqyerja, përgatitja fizike, gjithçka e zgjat karrierën e një futbollisti nëse kujdesesh për veten.

Kjo është arsyeja pse Kristiano Ronaldo, në moshën 40-vjeçare vazhdon të shënojë 50 gola në sezon”. Muajin e kaluar, “Mail Sport” zbuloi se braziliani po tërhiqte interes nga klubet e Arabisë Saudite Al-Nasr dhe Al-Kadsiah. Al-Itihad e kërkoi 32-vjeçarin verën e kaluar, megjithatë, shumica e klubeve saudite e kanë kuotën e tyre të lojtarëve të huaj të plotësuar tani dhe duhej të shisnin muajin e kaluar përpara se të mund të sillnin lojtarë të rinj. Junajtid do të kishte qenë i gatshëm ta shiste brazilianin, i cili është një nga lojtarët më të paguar të klubit, me marrëveshjen e tij prej 350,000 £ në javë në “Old Trafford”.