Ole Gunnar Solskjaer drejtori Manchester United si trajner gjatë periudhës mars 2019-nëntor 2021. Norvegjezi provoi aventurën si tekniku i skuadrës ku kaloi vitet më të bukura si futbollist.
Nëse drejtuesit do e dëgjonin sugjerimin e tij, “Djajtë e Kuq” do të kishin sot në përbërje një nga lojtarët më të mirë në botë: Erling Haaland.
Solskjaer ishte trajneri i goleadorit të Manchester City te norvegjezët e Moldes. Ai telefonoi menjëherë drejtuesit e United që të investonin te “gjiganti” i sulmit.
Haaland mund të përfundonte në “Old Trafford” për vetëm 4 milionë euro, por drejtuesit e United nuk e dëgjuan dhe sulmuesi u transferua te Salzburg.
“Telefonova drejtuesit e United gjashtë muaj përpara se Erling të shpërthente. Iu thashë që ta blinin sulmuesin, por ata nuk më dëgjuan.
Erling kushtonte vetëm 4 milionë euro, por drejtuesit e United nuk donin ta blinin”, kujton Solskjaer.
Pas Salzburgut erdhi kalimi te Borussia Dortmund, ndërkohë që prej verës së vitit të kaluar Haaland është pjesë e Manchester City. Ekip ku po shkëlqen me gola dhe rekorde pafund.
United mund ta kishte veshur “Djall” për një shumë “simbolike”, por drejtuesit nuk i besuan trajnerit norvegjez. Veprim për të cilin janë penduar pafund.