Një uragan gati për të mposhtur çdo kundërshtar. Harry Kane vazhdon të jetë një makineri golash dhe të thyejë rekorde. Paraqitjet e mira të sulmuesit anglez nuk janë më diçka e re. Edhe pse Tottenham po kalon periudhën më të keqe të epokës Pochettino, nr. 10 i “Spursave” vazhdon me të njëjtin ritëm si ai i sezonit të kaluar, duke dëshmuar gjithnjë e më shumë se është një lojtarë i klasit botëror. Nëse numrat e golave të shënuar në Premier League janë të jashtëzakonshëm, ato të shënuar në Champions League janë në kufi të normales, gati për ta vendosur Kane në Olimpin e më të mirëve.
Rekord – 30 gola të shënuar në 14 ndeshje të luajtura në Europë. Një e dhënë që nuk i lë vend imagjinatës dhe që e përshkruan më së miri se çfarë lloj lojtari është anglezi. Vazhdimësi gjithmonë vdekjeprurës para portës, gjithmonë në brendësi të lojës. Edhe pse në një sezon ku Tottenham po has më shumë vështirësi nga sa pritej, Kane vazhdon ngjitjen drejt Olimpit të më të mirëve. Nëse “Spurs” kanë ende mundësi të kalojnë grupin e Champions League, merita është e gjitha e yllit anglez dhe e “dopietës” së shënuar kundër PSV.
Olimpi – Askush si ai… pothuajse. Golat në Champions League të Kane, e bëjnë 25-vjeçarin lojtarin e vetëm në histori që ka shënuar kaq shumë gola në kaq pak ndeshje. Më mirë se Messi, më mirë se Ronaldo. Jo rastësisht janë përmendur të dy lojtarët, të cilët nr.10 vazhdon t’i sfidojë në distancë. I vetmi që qëndron para tij, për momentin, është një lojtar i njohur në futbollin italian. Inzaghi. Jo Pippo, siç mund të mendohet me lehtësi, por Simone.
Trajneri i Lazio-s, në fakt, ka shënuar 12 gola në 13 ndeshje. Një mesatare golash praktikisht e njëjtë (0,928 kundrejt 0, 923). Ndeshja e ardhshme kundër Interi-t do të jetë vendimtare, jo vetëm për Tottenham që shpreson të vazhdojë ëndrrën Champions League, por edhe për Kane, i cili do të përpiqet të zërë, i vetëm, një vend në historinë e kupës me veshë të mëdha.