Hamdi Salihi i ka dhënë lamtumirën futbollit shqiptar në një mënyrë të cilën nuk do të dëshironte ta kujtonte.
Të gjitha i kanë parasysh skenat në “Zeqir Ymeri” kur sulmuesi shkodran, asokohe pjesë e Skënderbeut, griste kartonin e kuq të Enea Jorgjit në shenjë proteste ndaj turpit që ishte prodhuar në fushën e lojës në ndeshjen që vendosi titullin kampion në favor të Kukësit.
Një gjest të cilin vetë lojtari e cilësoi si “vulën” mbi vendimin për t’u larguar sa më parë nga vendi ynë ku për futboll nuk mund të diskutohej më, duke zgjedhur më mirë që të luante në kategorinë e dytë austriake, edhe pse ofertat nga Superiorja nuk i mungonin.
Ndaj duket shumë e çuditshme kur dëgjon Salihin të deklarojë se uron që titullin kampion ta fitojë pikërisht ajo skuadër e cila u bë shkas që të arratisej një orë e më parë nga vendi ynë, edhe me 10 ndeshje pezullim si “dhuratë” nga FSHF që e dënoi për gjestin e tij.
Sigurisht, urimi i Salihit për kamerën e RTSH e ka një motivim të qartë. “Titullin shpresoj ta fitojë Kukësi, meqë Armando Cungu është trajner dhe na bëhet qejfi nëse e fiton një shkodran”,
ishte argumentimi i Salihit për këtë urim të tij, ndoshta me shpresën që këtë herë të mos e shohë kampionatin shqiptar duke përfunduar në të njëjtën mënyrë siç e la ai /vipsport/