Fundjavë e shkuar në media u fol shumë për spostimin e ndeshjes Vllaznia- Skënderbeu nga Shkodra në Korçë. Madje, presidenti i Kukësit Safet Gjici do deklaronte se po bëhet një aleancë në favor të korçarëve. Por nuk mendon kështu gazetari i njohur shkodran Admir Uruçi. Ai ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Arena” në televizionin Rozafa dhe në lidhje me këtë çështje, ka deklaruar:

“Nëse Skënderbeu pret aleancë nga Vllaznia, ta lërë kampionatin që tani, të mos pretendojë më për titull kampion. Skënderbeu me gjendjen që ka aktualisht, nuk ka nevojë për askënd. Vetëm një formacion i përzgjedhur me lojtarë nga e gjithë Superliga, mund ta rivalizojë këtë skuadër. E them këtë nisur nga ajo çfarë kemi parë në paraqitjet e kësaj skuadre edhe ndaj Partizanit të Beogradit, edhe ndaj Dinamos së Kievit, edhe ndaj Young Boys. Prandaj është budallallëk të mendosh për aleancë të kësaj skuadre me Skënderbeun. Ndoshta Vllaznia ka nevojë për aleancë me Skënderbeun apo dikë tjetër por jo Skënderbeu me Vllazninë. Të presë ai nga skuadra shkodrane në gjendjen që ajo ka, është turpi i botës”.

© shkodrasport.com