Humbja e Vllaznisë ndaj Egnatias kanë lënë shije të hidhur në Shkodër. Jo vetëm nga tifozëria, por tashmë pas ndeshjes së humbur kundër Egnatias, edhe gazetarët në studiot televizive kanë nisur të shprehen kundër gjykimit që po i bëhet Vllaznisë, që tashmë duket se po kthehet në faktor urrejtjeje edhe për tifozët.
Admir Uruçi, një nga gazetarët sportiv shkodran, në një nga studiot televizive në Shkodër, pikërisht në “Sport Show” në TV1-Channel, është shprehur se është një mangësi e madhe, që presidenti Alban Xhaferi, nuk ankohet dhe nuk ngrin zërin për padrejtësitë që po i bëhen Vllaznisë, teksa tha që humbja ndaj Egnatias ishte katastrofike, por sipas tij, gjykimi luajti një rol të madh në këtë ndeshje.
“Për mua, humbja me Egnatian ishte katastrofike, shihet edhe në rezultat. Atëherë, unë nuk pres ndonjë ndryshim të madh nga Plori, sepse duke qenë zv/trajner, ai ka shërbyer njësoj si për vete, edhe trajnerit të parë, Brdariç.
Nuk prisja ndonjë ndryshim të madh në kuptimin e problematikave që kishte Vllaznia. Prisja një ndryshim të madh ndoshta, duke nisur nga rivaliteti, mes Egnatias dhe Vllaznia, prisja një ndryshim të madh që Vllaznia të mos dilte pa pikë dhe të merrte të paktën minimumi një pikë, ashtu siç bëri në fazën e parë kundër Egnatias.
Ajo që ndikoi për mua negativisht, ishte mungesa e pesë titullarëve, sepse nuk janë pak për një ekip, janë gjysma e ekipit. Patjetër që ndikuan mungesat, por dua të ndalem unë personalisht tek problematika, pashë tek ekipi dhe tek vendosja e ekipit, për sa i përket trajnerit Plori, me ata lojtarë, që pat në dispozicion.
Unë do të thoja që një mangësi e madhe është që stafi drejtues i Vllaznisë, presidenca e Vllaznisë, duke nisur nga presidenti Alban Xhaferi, duhet të ngrijë më shumë zërin, sepse nuk është hera e parë që Vllaznisë, po i bëhen padrejtësitë në mënyrën më të padrejtë të mundshme.
Në qoftë se, do të ndalemi tek ndeshja, pa anashkaluar lojën e ekipit, pa anashkaluar disa vendosje të trajnerit Plori, ndoshta për të bërë më të mirën e mundshme me ata lojtarë që kishte në dispozicion, por drejtuesit e Vllaznisë, konkretisht presidenca, duhet të ngrijë më fort zërin, sepse Vllaznisë nuk është hera e parë që këtë sezon, po i bëhen padrejtësi nga më të ndryshmet.
Po i bëjnë padrejtësi, mendimi im ky. Ndoshta, në kohën e Bashkisë, kemi thënë, në qoftë se, do kishim një president, këto padrejtësi nuk na ishin bërë, por po na bëhen padrejtësi më shumë se në kohën që presidencën e ka pasur Bashkia”,-tha gjatë prononcimit të tij, gazetari sportiv, Admir Uruçi.
Maringlen ZHIVANI