Mbretërit Lionel Mesi dhe Kilië Mbape janë ulur në fron dhe dominojnë si dy figurat më prestigjioze me 10- ën pas shpinës, por ka edhe të tjerë. Kur jemi të vegjël të gjithë kemi ëndrra.

Në rastin e futbollit, shumica duan të bëhen numër 10-të, por me kalimin e viteve dëshirat e mëdha i përshtaten realitetit. Kështu ka ndodhur në Katar. Dy djemtë e Simeones tek Atletiko, Rodrigo De Pol dhe Antuan Grizman, respektivisht tek Argjentina dhe te Franca mbajnë numrin 7, por në të vërtetë ata janë shndërruar në tetësh, si mesfushorë të gjithanshëm.

USHTARI BESNIK – De Pol në Katar bën mesatarisht 6.1 vjedhje topi në ndeshje dhe është i vetmi mesfushor të cilin Skaloni e ka futur në çdo ndeshje si titullar. I kap topat me përulësinë e numrit 8 dhe i hap me mjeshtërinë e një dhjetëshi. Ai është ushtari më i përbetuar i Mesit. Është gjithnjë pranë kapitenit jashtë fushe dhe brenda saj vrapon të mbrojë kapitenin sa herë dikush e provokon apo i shkakton faull. Kombinojnë pafund me njëri-tjetrin.

“Pleshti” te De Pol ka gjetur atë që i mungonte në të shkuarën tek Argjentina, por e kishte te Barcelona me Alvesh apo Albën. “Do të bëjmë maksimumin që Mesi të bëhet kampion bote”, thoshte De Pol. Një frazë domethënëse e ndjenjës që motivon Argjentinën: gjithçka për Mesin. Një vend i tërë dëshiron që Mesi të mbyllë udhëtimin e karrierës së tij me tetë shkronja më shumë në CV: Kupa e Botës. De Pol e do më shumë se çdokush këtë.

ARTIST ME MUZIKË TJETËR – Antuan Grizman nuk është një ushtar, por është shndërruar në një kohë shumë të shkurtër në kompozuesin e lojës së “Gjelave”. “Djalli i Vogël” i Francës ndaloi së shënuari dhe u kthye në një mesfushor, “zbërthyes” i skemave të ndërlikuara të Deshamp. Pol Pogba në rrjetet sociale i ka bërë krahasimin më perfekt të mundshëm. Grizman Kante, shkruan mesfushori i Juventusit për gjithë “mutacionin” që i ka ndodhur Grizmanit.

Ai po bën tashmë atë që bënte Kante, i dëmtuar. Francezi tashmë nuk sheh vetëm nga porta, por është korrigjuesi i gabimeve të shokëve. Me “artin” e tij, ai bën që askush të mos i kuptojë gabimet e shokëve. Ndaj Marokut e nisi si mesfushor i avancuar, por më pas zbriti më poshtë dhe e bëri gjithçka në perfeksion. Mund ta krahasojmë edhe me Pirlon. Grizman i bën “Gjelat” të këndojnë.