Myrto Uzuni, një nga më të rëndësishmit e Ferencavarosh kampion në Hungari, së fundmi ka zbuluar se pavarësisht suksesit, atij i pëlqen të mbetet i thjeshtë. Për mediat hungareze, sulmuesi thekson se preferon më shumë pushimet me familjen ku ka mundësi të shijojë gatimet e mamasë, se sa luksin e Dubait.
“Pushime në Dubai? Nuk më tërheqin aspak. Për mua familja është gjëja më e rëndësishme dhe gjatë sezonit mezi pres t’i takoj. Pushimet i kaloj me familjarët. Unë mund të shijoj aty gatimet që i ka me merak nëna ime, me pjata shumë të shijshme. Mblidhemi në tryezë dhe qëndrojmë deri në orët e vona duke biseduar.
Po bëhemi gati për trofeun e radhës. Ne jemi të fortë, të bashkuar dhe do të ishte akoma më mirë nëse do të kishim sukses në arenën ndërkombëtare. Sezoni që sapo u mbyll ishte i shkëlqyer, sepse mësuam se jemi në gjendje për të arritur suksese në disa fronte.
Po vazhdoj të rikuperohem nga dëmtimi i pësuar. E kam marrë veten. Do të ishte bukur të luaja ndaj Uellsit dhe Çekisë, por rëndësi ka shëndeti dhe gjendja fizike”, u shpreh Uzuni. /VipSport/