Dy futbollistët shkodranë, Armando Vajushi dhe Bekim Balaj kanë luajtur titullarë edhe në ndeshjet e sotme për skuadrat e tyre, përkatësisht Liteksin në Bullgari dhe Spartën në Çeki. Megjithatë, pavarësisht se ata kanë qenë në fushë, nuk kanë mundur dot të shënojnë por edhe t’i ndihmojnë skuadrat e tyre të marrin fitoren. Për Liteksin ka qenë një ndeshje shumë e rëndësishme teksa kanë pritur në fushën e tyre ekipin Botev Plovdiv dhe ndonëse u duhej medoemos fitorja për t’u ngjitur në renditje, nuk ka ndodhur kështu.

Miqtë kanë luajtur më saktë, kanë shënuar nëj gol dhe kaq u ka mjaftuar atyre për të fituar. Vajushi ka qenë në fushë për 80 minuta dhe është munduar të japë kontributin e tij për fitore por nuk ia ka dalë. Në një moment ka qenë edhe i pafat sepse gjuajtja e tij është pritur mbi vijën e portës nga portieri. Nga ana tjetër, shkodrani Edon Hasani që është pjesë e kësaj skuadre nuk ka luajtur për asnjë minutë në këtë takim. Edhe shkodrani tjetër Bekim Balaj ka qenë i pafat në takimin e sotëm me Spartën e Pragës. Ai e ka nisur  si titullar dhe ka qenë në fushë për 63 minuta në barazimin 1-1 me ekipin FC Vysočina Jihlava, në fushën e kësaj të fundit.
www.shkodrasport.com