Futbollisti shkodran Armando Vajushi ndonëse mund të konsiderohet futbollist i Liteksit ngaqë marëveshja me të është mbyllur prej ditësh, zyrtarisht ende nuk e ka hedhur firmën në kontratë. Kjo gjë pritet të ndodhë më 4 janar, ditë kur lojtari do mbërrijë në Bullgari. Më parë do të kalojë testet mjekësore dhe më pas, do hedhë firmë në kontratën trevjeçare me Liteksin. Duket se nuk ka asnjë pengesë tashmë për këtë gjë, edhe pas garancisë që ka dhënë mundësi shkodran Elis Guri që është pjesë e këtij klubi. Guri ka një reputacion të madh në këtë klub por edhe në gjithë Bullgarinë pas suksesit në kampionatin botëror ku zuri vendin e parë.

Fakti që ai është mik i familjes Gançev që zotëron edhe klubin e futbollit, do të thotë se tashmë firma për Vajushin është punë e kryer. Klubi bullgar do të kalojë edhe shumën e 100 mijë eurove në arkën e klubit Vllaznia dhe më pas do merret edhe leje-kalimi. Kontrata do jetë trevjeçare dhe ajo do ketë edhe një opsion që në rast shitje nga Liteksi tek një klub tjetër, lojtari do përfitojë edhe një shumë prej 10 %. Me largimin e tij, tek Vllaznia do të krijohet një boshllëk i madh në repartin e sulmit sepse për momentin nuk ka asnjë lojtar cilësor në rradhët e kësaj skuadre. Shpresat janë tek merkatoja por se çfarë “malli” do vijë, kjo mbetet për t’u parë.

www.shkodrasport.com