Futbollisti shkodran Armando Vajushi ka filluar të bëhet protagonist i merkatos bullgare. Në adresë të skuadrës së tij Liteks, kanë filluar të vijnë ofertat e para pikërisht për këtë lojtar. Këtë e ka pohuar vetë ai në një intervistë të dhënë dje për gazetën “Panorama Sport”. Sipas vetë Vajushit, Liteksi ka refuzuar një ofertë prej 1 milionë euro por drejtuesit e tij duan sërish më tepër. Ja intervista e plotë e këtij futbollisti:
Çfarë do të thotë të japësh tre asist për gol në një ndeshje?
Gëzim i madh dhe kënaqësi, por edhe keqardhje. Unë dhashë tre pasimet finale për tre golat e parë në fitoren 4-1 kundër Çerno More Varnas, por në fund ndjehesha pak keq.
Pse?
Sepse pasimi i tretë ishte disi edhe me fat. Nuk kisha ndër mend të pasoja, por gjuajta dhe portieri devijoi dhe doli asit për shokun tim. Gëzoj më shumë kur shënoj, por gjithsesi edhe kështu mirë është.
Gjërat po shkojnë mirë te Liteksi, apo jo?
Po, shumë mirë. Deri tani kam dhënë 9 asiste dhe kam shënuar tre gola në kampionat. Mos harroni, unë nuk luaj si sulmues i mirëfilltë.
Ç’do të thotë të stërvitesh me Sotiçkovin?
Nder i madh, kënaqësi dhe përmirësim i përditshëm. Çdo ditë mëson nga një gjë të re këtu.
Kjo ndodh, sepse keni trajneri Stoiçkovin, apo se klubi ka staf të përgatitur?
Të dyja bashkë.
A bërtet Stoiçkov në stërvitje?
Jo, rrallë. Flet pak dhe vetëm vështron, mban shënime dhe bën ndonjë ndërhyrje. Nëse ai e ngre zërin, atëherë je në telashe.
Çfarë ndodh nëse ia kthen fjalën Stoiçkovit?
Ditën tjetër duhet të bësh valixhet gati edhe të ikësh. Ai nuk e bën veten që të mund të polemizosh me të por, nëse kjo ndodh, nuk ke më vend këtu. Është presidenti i pari që të largon.
Si e bëni jetën në Bullgari?
Mirë, shumë më mirë se disa muaj më parë. Tani kam mësuar edhe gjuhën, komunikoj më mirë dhe njerëzit më vlerësojnë për atë çka bëj.
Si është raporti me tifozët?
Shumë i mirë. Madje, ndonjëherë e teprojnë me këtë punën ndalesave në rrugë për foto apo autografe, por më duhet t’i respektoj. Megjithatë, dua të theksoj edhe se këtu kanë lënë gjurmë të mëdha Bushi me Haxhin dhe që në fillim impakti me tifozët ishte shumë pozitivë.
Më thoni një element ku ndryshon futbolli bullgar me atë shqiptar?
Këtu vrapohet nga fillimi deri në sekondat e fundit. Në Shqipëri edhe të duash të vraposh kaq shumë nuk e bën dot, sepse lojtarët nuk janë të përgatitur për këtë.
Vitin e kaluar deklaruat disa herë se donit të ktheheshit në Shqipëri, a vazhdoni ta keni këtë ambicie?
Jo, jo. Disa muaj më parë isha i mërzitur, sepse nuk isha shkëputur aq gjatë nga familja dhe nga vendlindja. Nuk dija as gjuhën dhe nuk isha as i përgatitur për të konkurruar denjësisht me rivalët e mi në ekip. Tani gjërat kanë ndryshuar dhe nuk kam ndër mend të kthehem në Shqipëri.
Ku mendoni se jeni përmirësuar?
Në disa aspekte, por sidomos taktikisht.
Për çfarë ju bën më shumë vërejtje Stoiçkov?
Për pjesën taktike. Parimi i tij është: së pari të mos humbim. Nëse nuk humbim, jemi më pranë fitores. Ndonjëherë nevrikoset edhe sepse unë nuk dyluftoj ashpër sa gjithë të tjerët, por këtë po e korrigjoj… (qesh).
Do ta respektoni deri në fund kontratën me Liteksin?
Jo, nuk besoj, madje mund të largohem që në janar. Këta të klubit më kanë njoftuar se nëse vjen oferta që presin për mua, atëherë mund të largohem që në janar. Edhe nëse nuk ndodh kjo, është e sigurt se do të largohem në verë. Sezonin tjetër nuk do të jem këtu.
Ku do të shkoni?
Unë ëndërroj që të luaj në një skuadër perëndimore. Dëshira ime është të luaj në Spanjë, por në fakt deri tani ofertat kanë qenë nga Gjermania, Zvicra dhe Italia. Problemi më i madh mbetet çmimi.
Cili çmim?
Çmimi i kartonit tim.
Sa kushton kartoni juaj?
Po nga sa kam marr vesh deri tani, në klub kanë ardhur oferta edhe afro një milion euro, por drejtuesit kërkojnë 2-3 herë më shumë se kaq. Të shohim, nuk jam as vetë i qartë se çfarë do të ndodhë, por e rëndësishme është që unë të bëj mirë punën në fushën e lojës.