Armando Vajushi ka luajtur edhe në miqësoren e sotme që ekipi i tij ka zhvilluar ndaj ekipit danez Sonderjyske. Ai është aktivizuar në pjesën e dytë nga ana e trajnerit Stoiçkov dhe pikërisht në këtë pjesë është shënuar edhe goli i vetëm për ekipin e Liteksit që ka fituar 1-0. Nga sa bëhet e ditur, edhe në këtë ndeshje shkodrani 20 vjeçar është aktivizuar në rolin e mesfushorit të majtë dhe ka qenë ndër më të mirët në fushë. Ai ka qenë protagonist në shumë aksione të nisura prej këmbëve të tij, madje në një moment ka qenë pranë shënimit të golit por ka qenë i pafat. Me ndeshjen e sotme, Liteks i jep fund serisë së ndeshjeve miqësore që ka zhvilluar në Antalia të Turqisë dhe nesër do kthehen në Bullgari.

Megjithatë, edhe në këtë vend kampionati nuk do fillojë më 25 shkurt siç ka qenë planifikuar pasi është shtyrë për më 3 mars dhe për këtë arsye, Liteks do grumbullohet edhe një javë tjetër në Greqi. Vajushi në këtë mënyrë bëhet gati të nisë kampionatin bullgar ku premton se mungesën e golave në ndeshjet miqësore, do ta kompesojë me ato që do shënojë në ndeshjet zyrtare. “Ndjehem në një formë shumë të mirë sportive dhe besoj se do ta justifikoj besimin e drejtuesve të klubit me lojëra të mira dhe me gola. Jam i bindur që do t’ia dal”-ka thënë ai ekskluzivisht dje për gazetën online www.shkodrasport.com. Armando Vajushi kësisoj bashkë me mundësin Elis Guri janë përfaqësuesit e denjë të Shkodrës dhe Shqipërisë në Bullgari.

 

www.shkodrasport.com