Futbollisti shkodran Armando Vajushi ka qenë per 90 minuta titullar në fushën e lojës në ndeshjen e sotme të skuadrës së tij Liteks ndaj Levskit të Sofjes. Kjo ndeshje ka qenë e vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Bullgarisë. Ai ka dhënë një kontribut të madh në fitoren 2-1 të Liteks madje me plot gojën mund të thuhet se ka qenë lojtari më i mirë në fushë. Ndeshja ka nisur më mirë për Levskin që ka shënuar në minutën e 40-të me anë të Mulder dhe pjesa e parë mbyllet 1-0 në favor të miqve. Në pjesën e dytë në skenë del Vajushi. Në minutën e 49-të ai ka shmangur tre lojtarë dhe ka dhënë një asist të shkëlqyer për Milanov që nuk e ka patur të vështirë të dërgojë topin në rrjetë dhe të barazojë shifrat. Në minutën e 75-të Isa do të shënonte edhe golin e dytë dhe të fitores për Liteksin. Siç merret vesh nga faqja zyrtare e Vajushit në internet, në ndeshjen e sotme kanë qenë të pranishëm shumë menaxherë për ta ndjekur dhe natyrisht që ata kanë mbetur të kënaqur me lojën e tij. Në kushte të tilla, transferimi i tij në qershor në një kampionat tjetër bëhet gjithnjë e më tepër punë e kryer. Përveç zvicerianëve të St Gallen, të tjera skuadra kanë shfaqur interes për këtë futbollist që po shkëlqen në Bullgari duke luajtur mirë dhe shënuar gola të rëndësishëm.
www.shkodrasport.com