Skuadra bullgare e Liteksit ku aktivizohet futbollisti shkodran Armando Vajushi ka zhvilluar pasditen e sotme edhe miqësoren e dytë në përgatitoren që ajo është duke bërë në Antali të Turqisë. Kundërshtari i rradhës për bullgarët ka qenë skuadra e mirënjohur e Serbisë- Crvena Zvezda. Rezultati përfundimtar i ndeshjes ka qenë 2-1 për serbët. Edhe në këtë ndeshje, Vajushi ka luajtur me formacionin e parë të LIteksit që është aktivizuar vetëm në pjesën e parë të ndeshjes.

Gjatë kësaj pjese loje, Vajushi ka marrë edhe faullin që solli golin e vetëm për skuadrën e tij. Madje edhe krosin në zonë e ka nisur ai për lojtarin që ka marrë penalltinë dhe më pas ka shënuar. Megjithatë ai nuk ka mundur dot të shënojë sepse nëse do ta bënte këtë gjë, ka patur në plan të bëjë një gjest shumë domethënës. Poshtë fanellës së Liteksit ka patur një bluzë tjetër me stemën e Shqipërisë në të dhe në rast se do shënonte, Vajushi ka dashur ta heqë bluzën e parë, për t’i treguar kundërshtarëve të tij se është shqiptar. Megjithatë kjo dëshirë e tij nuk u realizua në këtë takim. Pjesa e parë është mbyllur 1-1 dhe gjatë kësaj pjese, Vajushi ashtu si në ndeshjen ndaj rumunëve të Cluj, është aktivizuar nga ana e trajnerit Stoiçkov në rolin e mesfushorit të majtë. Për futbollistin që tek Vllaznia ka luajtur ose në rolin e mesfushorit të djathtë ose të sulmuesit të dytë, mund të ketë pak probleme përshtatje por Armandoja është duke e bërë mirë edhe këtë detyrë. Megjithatë Liteksi ka se çfarë të rregullojë sërish në lojën e vet sepse në dy miqësoret e zhvilluara deri tani, ka arritur dy humbje. E rëndësishme është që Vajushi ka qenë pjesë e formacionit bazë dhe ka spikatur me lojën e tij.

www.shkodrasport.com