Mesfushori shkodran Armando Vajushi prej pak ditësh ndodhet pranë familjes së tij për të kaluar festat e fundvitit dhe kuptohet që gjatë kësaj periudhe, nuk mund të qëndrojë larg Vllaznisë, skuadrës së tij të zemrës. Stërvitet me të për të ruajtur formën por edhe për të takuar ish- shokët e tij. 23 vjeçari është ende nën kontratë me Liteks Lovech në Bullgari por gjatë merkatos së janarit mund të ndryshojë ekip. Këtë gjë ai e ka bërë të ditur në një prononcim për gazetën kur është shprehur:


“Kam kaluar tre vite shumë të mira tek Liteksi dhe ndoshta ka ardhur momenti të largohem nga aty. Më kanë mbetur edhe gjashtë muaj kontratë megjithatë dëshira është të iki që tani. Oferta më interesante dhe më e mirë nga ana financiare është ajo e ardhur nga Legia e Varshavës. Drejtues të klubit më kanë kontaktuar dhe më kanë bërë të ditur se po tentojnë të largojnë një mesfushor të majtë që kanë aktualisht në ekip dhe që është shumë i shtrenjtë dhe të më marrin mua. Dëshira është të shkoj atje se Legia është një ekip i njohur dhe përpos kësaj, oferta financiare është shumë e mirë. Por përveç Legias, sipas menaxherit tim edhe tre klube italiane kanë shfaqur interes për mua dhe bëhet fjalë për Udinezen, Kievon dhe Atalantën. Do jetë merkatoja e janarit që do vendos për këtë gjë, nëse do largohem nga Bullgaria apo jo”. Në fakt ekziston edhe një opsion tjetër që të rinovoj edhe për një vit me Liteksin. Drejtuesit e tij po i bëjnë presione nga më të ndryshmet, madje edhe duke e lënë në stol vetëm e vetëm që ai ta shtyjë kontratën dhe kjo është e mundshme. E pranon edhe vetë Vajushi kur shton: “Nëse ofertat që kanë ardhur nuk më bindin aq sa duhet, nuk e kam ndër mend të lëviz nga skuadra ku jam aktualisht. Drejtuesit e saj më kanë ofruar rinovimin edhe për një vit tjetër me një ofertë shumë të mirë financiare, rreth 270 mijë euro në total. Për këtë arsye, është një opsion qëndrimi sërish aty”. Për bullgarët, shqiptari 23 vjeçar është një lojtar i rëndësishëm. Fakti që në disa ndeshje që stafi teknik nuk e aktivizoi, skuadra humbi pesë takime rradhazi dhe zbriti në vendin e tetë në renditje. Me aktivizimin e Vajushit, erdhën 4 fitore rradhazi dhe tashmë Liteksi ndodhet aktualisht në vendin e tretë. Kjo tregon më së miri edhe vlerat e këtij lojtari që gjatë këtij sezoni ka arritur të shënojë 4 gola dhe të japë 10 asiste. Viti që po mbyllet ka qenë i mbarë përgjithësisht për të, me përjashtim të Kombëtares ku ka dëshiruar të kishte më shumë hapësirë. Vetë Armandoja e ka një projekt për vitin që vjen. “Do të punoj më fort në të gjitha drejtimet për ta bindur trajnerin De Biazi se jam i vlefshëm për kombëtaren. Nëse më jepet shansi i duhur, besoj se kam për t’ia shpërblyer. Për të gjithë ne është një dëshirë e madhe të kontribuojmë për kombëtaren dhe unë e bëj me shumë dëshirë, edhe nëse luaj 5 apo 10 minuta të vetme”- ka thënë ai. Gjatë këtyre ditëve të qëndrimit në Shkodër, Vajushi është stërvitur dhe ka biseduar gjatë me futbollistët e Vllaznisë. Ka mësuar për problematikat që kanë kaluar dhe kuptohet që u jep të drejtë atyre. Megjithatë kjo është situata aktuale në skuadër dhe shpresa e të gjithëve është që ajo të ngrihet dhe të shfaqet si pretendente. Armando Vajushi është larguar nga Shkodra kur ishte vetëm 20 vjeç, çka tregon për aftësitë e tij. Por në fakt, ky qytet gjithnjë ka prodhuar lojtarë të talentuar. I pyetur se çfarë i ka bërë përshtypje në ato pak seanca stërvitore që ka zhvilluar me kuqeblutë, mesfushori i Liteksit do të thoshte: “Pashë që kishte shumë futbollistë të rinj të talentuar. Menjëherë më ka rënë në sy Krymi dhe po ashtu edhe mbrojtësi i majtë- Hakaj që kishin marrë nga ekipi U-19 i Akademisë. Vllaznia është dalluar gjithnjë për nxjerrjen e elementëve cilësorë por duhet të punojë për t’i mbajtur ose për t’i shitur ashtu siç duhet. Ajo që më ka bërë përshtypje gjatë këtij sezoni, ka qenë forma jo e mirë e Krujës. Nuk arrij ta kuptoj se çfarë ka ai dhe pse në ndeshjet e fundit ka përfunduar në stol. Nuk duhet të ndodhë kështu, për më tepër që ai ka qenë lojtari më i mirë i skuadrës sezonin e kaluar. Secili futbollist kalon edhe momente të vështira por është detyrë e stafit për ta nxjerrë nga ajo. Unë besoj shumë tek ky futbollist”. Armando Vajushi flet me pjekuri, sikur të ishte shumë i madh në moshë. Por përvoja e fituar prej tre vitesh në futbollin bullgar, e ka ndihmuar shumë. Pa harruar që është në prag të kontratave të tjera të rëndësishme.
Gjergj KOLA